Shkup, 29 tetor – Shënimi i 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut vitin e ardhshëm, si dhe anëtarësimi i pritur shpejtë i vendit tonë në NATO do të japë impuls shtesë për përforcimin e mëtutjeshëm të partneritetit strategjik mes të dyja shteteve mike.
Këtë sot e theksoi presidenti Stevo Pendarovski, i cili realizoi takim me përfaqësuesin special të sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Methju Palmer, transmeton gazeta KOHA.
Në takim, siç kumtoi Kabineti i presidentit Pendarovski, ishin shkëmbyer mendime për marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjet në rajon.
Presidenti Pendarovski u falënderua për ratifikimin e Protokollit të pranimit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Senatit amerikan dhe shprehu bindje se do të vazhdojë mbështetja e parezervë të SHBA-së për realizimin e qëllimeve strategjike të shtetit.
Pendarovski, siç theksohet në kumtesë, e theksoi rëndësinë e vizitës së para pak kohësh të sekretarit shtetëror të SHBA-së, Majk Pompeo në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar si konfirmim për partneritet strategjik mes të dyja vendeve dhe angazhimeve të përbashkëta për rajon stabil dhe të prosperuar.
Në takim presidenti Pendarovski theksoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ekzistojnë alternativa të tjera, përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian.(koha.mk)