Presidenti i sapozgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e mori vërtetimin për president shteti. Sipas tij, me këto zgjedhje, vendi ka treguar se mund të sillet në mënyrë evropiane ndërsa institucionet të punojnë me profesionalizëm.
Për nënshkrimin e ligjeve të cilat nuk i nënshkroi presidenti i deritanishëm, Gjorge Ivanov do të konsultohet ekipi i tij juridik të cilin do ta ekipojë javën e ardhshme. Paralajmëroi se do të marrë pjesë në reformat për shërbimet për zbulim të cilat janë nën kompetencën e presidentit. Revanshizëm politik, tha, nuk do të ketë, as në institucionet nën kompetencat e presidentit, as në kabinetin presidencial. Të gjithë të cilët kanë punuar me profesionalizëm, siç potencoi, do të vazhdojnë të punojnë ndërsa gjithsecili që e ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet para ligjit.
“Për herë të parë nga vitet e nëntëdhjeta e këtej të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor e pranuan rezultatin zgjedhor. Kjo ndodh pas 25 vitesh dhe është rekomandim jashtëzakonisht i mirë për ne si shtet në vigjilje të samitit të qershorit të BE-së. Pas shumë dekadash shteti tregoi se mund të sillet në mënyrë evropiane dhe institucionet të jenë profesionale dhe jopartiake”, tha Pendarovski.
Shtoi se pas pranim-dorëzimit të funksionit së bashku me presidentin e deritanishëm Gjorge Ivanov do të ketë takime me të punësuarit, të cilëve do t’u thotë se nuk kenë pse të frikohen.
“Revanshizmi politik duhet të jetë e kaluar në këtë vend. Kush e ka shkelur ligjin do të përgjigjet, kush punon si duhet duhet të mbetet në punë pavarësisht nëse është pjesëtar i partisë në pushtet, opozitës ose nuk është pjesëtar i asnjë partie politike”, theksoi Pendarovski.
Lidhur me ligjet të cilat nuk i nënshkroi Ivanov, Pendarovski përmendi se do të tentojë sa më shpejtë që është mundur gjatë javës së ardhshme ta ekipojë ekipin e tij juridik, pasi, siç tha, nuk dëshiron të nënshkruaj “symbyllur”.
“Disa prej këtyre ligjeve i di, por jo të gjitha, mbi njëzet të cilat kanë kaluar në procedurë kuvendore. Më pas në afatin më të shpejtë të mundshëm do t’i nënshkruaj. Supozoj se një pjesë e tyre do të nënshkruhen që në ditët e para pas hyrjes time në Kabinet”, potencoi presidenti i sapozgjedhur.
Ai paralajmëroi se në themel do të bëjë reforma në shërbimet e sigurisë të cilat janë nën kompetencat e tij, keqpërdorimet e së cilave kanë qenë edhe arsyet më të mëdha për krizën e thellë politike për vitin 2015. Në këtë drejtim, shtoi, tashmë është bërë mjaft, si ndarjen e Drejtorisë së Pestë dhe formimin e ATO, ndërsa do të punohet edhe në ndarjen e DSK dhe në koordinimin midis të gjitha shërbimeve.
“Kam për qëllim të bëjë reforma në themel në këto shërbime pasi shumë segmente të rëndësishme akoma janë të pareformuara”, tha Pendarovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për atë se çfarë do të ndodh me personat nga Agjencia për Zbulim të cilët kanë qenë të involvuar në disa ngjarje famëkeqe.
Paraprakisht, KSHZ në seancë i publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale në pajtim me të cilat Pendarovski u zgjodh shef i shtetit.
Nesër Stevo Pendarovski do të inaugurohet në seancë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka edhe zyrtarisht do ta fillojë mandatin pesëvjeçar. (koha.mk)