Shkup, 13 nëntor – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot e priti ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Hajko Mas, i cili po qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton gazeta KOHA.
Në takim ishin shkëmbyer mendime për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale mes të dyja shteteve, të cilat ishin vlerësuar si marrëdhënie miqësore të përmbushura me besim dhe respekt të ndërsjellë, kumtoi Kabineti i presidentit.
Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson lartë mbështetjen nga Gjermania për aspiratat e saja për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë kontekst, Pendarovski e theksoi rëndësinë e kompletimit të procedurës për ratifikim të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Gjermanisë.
Pendarovski ministrin Mas e falënderoi për mbështetjen e fuqishme nga ana gjermane për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, për solidaritetin e treguar me shtetin tonë pas Këshillit të fundit Evropian, si dhe për faktin që Gjermania e mban çështjen për zgjerim në fokusin e agjendës së BE-së.
Në takim presidenti Pendarovski theksoi se edhe krahas mungesës së vendimit, në Këshillin e fundit Evropian, për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Unionin, integrimi evropian mbetet qëllimi ynë strategjik. Presidenti shfaqi pritje se së shpejti do të definohet metodologjia e re për udhëheqjen e negociatave për anëtarësim dhe do të sillet vendim për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Për shtetin tonë, theksoi presidenti Pendarovski në takim, nuk ekziston alternativë tjetër e qëndrueshme, përveç anëtarësimit të plotfuqishëm në BE.(koha.mk)