Shkup, 13 dhjetor – Është e pakontestueshme se vazhdimisht bëjmë adaptim të së drejtës vendore me të drejtën e BE-së, që është qëllim strategjik i yni. Por, ajo që është dilemë e imja personale, e besoj edhe e shumë qytetarëve tanë është nëse institucionet shtetërore, thelbësisht apo vetëm formalisht i kanë miratuar dhe i ndjekin vlerat dhe parimet evropiane në këtë sferë, tha presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin në Forumin e sotëm rajonal për luftë kundër korrupsionit me temë “Përmbushja e premtimit për zgjerim të BE-së: 30 vite menaxhim i mirë dhe reforma anti korrupsion në Evropën Qendrore dhe Lindore”.
Presidenti Pendarovski bëri thirrje për bashkëpunim mes institucioneve, sektorit joqeveritar dhe privat sepse, nënvizoi, ajo është ndër mënyrat e suksesshme në përballjen me korrupsionin, ndërsa transparenca dhe llogaridhënia janë themele të menaxhimit të mirë dhe sundimit të së drejtës.
“Shumë vite merrem me çështjet e fushës së sigurisë dhe lirisht mund të them se gjatë 10 deri 15 vite në shtetin tonë korrupsioni i lartë u shndërrua në një nga kërcënimet më të mëdha të sigurisë për të ardhmen e vendit. Këtu më duhet ta veçoj rastin e ashtuquajtur “Reket” i cili diskreditoi një pjesë të madhe të përpjekjeve dhe shpresave tona për përballje me krimin dhe korrupsionin e lartë. Personalisht nuk kam pritur se bartës të funksioneve të tilla të rëndësishme dhe përgjegjëse do të tregohen të dobët në rastin e dhënë. Ky rast mbetet të jetë lakmus për shtetin juridik, e me atë edhe test për rezistencën nga ndikimet politike të institucioneve kyçe”, theksoi Pendarovski.
Sipas tij, lufta e sinqertë për shtet juridik nënkupton të hetohen krimet e pushtetit të kaluar, por edhe krimet e pushtetit aktual, e njëkohësisht është shumë me rëndësi të mos lejohet që përmes vjetrimit të qëllimshëm të lëndëve të ndodhë e ashtuquajtura amnisti e fshehur e kryesve të veprave lidhur me korrupsionin e lartë.
Shefi i shtetit konsideron se për luftë efikase kundër korrupsionit të lartë na nevojitet ligj i ri për Prokurori publike i cili do t’i përmbushë standardet më të larta evropiane, në vend, siç tha, përmes marrëveshjeve joparimore politike prapa skenës ta kompromitojmë luftën me korrupsionin e lartë.
Pendarovski foli për parimet e Konventës së KB-së për luftë kundër korrupsionit e cila tregon për peshën e problemeve dhe kërcënimin që e paraqet për stabilitetin dhe sigurinë, për vlerat demokratike dhe ato morale.
“Neve domosdoshmërisht na nevojitet përballje sistematike me korrupsionin dhe vendosje e një sistemi të ri vlerash për çka është parakusht vullneti i shprehur qartë i faktorëve relevantë politik në shtet”, theksoi presidenti Pendarovski dhe përsëriti se reformat e domosdoshme në sferën e sundimit të së drejtës dhe shtetit juridik nuk duhet t’i bëjmë për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, por për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucione dhe në shtet.