Shkup, 24 prill – Porosi të ndryshme, njëri nga Tetova, e tjetri nga Shkupi, dërguan mbrëmë kandidatët presidencialë Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova në fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve.
Pendarovski përsëriti se koncepti i tij është një shoqëri për të gjithë dhe integrimi euroatlantik, e jo izolim dhe ndarje. Siljanovska-Davkova, tha se duhet të vihet fund mediokritetit në politikë dhe se duhet të fillojë politikë e re, e orientuar drejtë pranverës e cila do t’i zgjojë më të mençurit dhe më kritikët.
“Mjaft i kishim 30 vite tranzicion, nga tuneli i errët i krimit dhe nga regjimi i familjes”, theksoi Pendarovski në takim me qytetarët në Tetovë.
Përkujtoi edhe se kjo gjeneratë e politikanëve duhej të sillte vendime të cilat nuk i ka sjellë askush 30 vite.
“Partia kryesore opozitare, para dhe pas raundit të parë të zgjedhjeve, vazhdon me propagandë të ashpër mbi tre shtyllat kryesore të shtetit. Ata janë këmbëngulës, veçanërisht kandidatja e tyre, për të shkatërruar gjithçka që ka bërë kjo strukturë, avokojnë një rishikim të të gjitha marrëveshjeve”, theksoi Pendarovski.
Siljanovska-Davkova e cila u ul në debat me të rinjtë, tha se pa mendim kritik nuk mund të ketë reforma. Gjatë kësaj, në fokus përsëri i vendosi gratë.
“Ne duhet t’i japim fund mediokritetit në politikë, sepse jeta jonë tashmë varet nga vendimet politike. Gjithçka që ndodhi në 30 vitet e fundit kur njerëzit u klonuan, si kiborgë u bënë politikanë dhe u klonizuan. Mendoj se duhet të largohen dhe të fillojmë një politikë të re të orientuar drejt pranverës që do të zgjojë më të mençurit dhe më kritikët. Shpresoj se mund ta bëj këtë. Kjo,është veçanërisht e vërtetë për pjesën femërore të popullsisë, megjithëse mbizotëron në shumë profesione, megjithatë nuk është në funksionet kyçe dhe kjo do të jetë dëshmi për kapacitetin demokratik dhe besueshmërinë e politikës maqedonase.”, theksoi Siljanovska.
Plotësoi edhe se nëse të rinjtë nuk përfshihen në zgjidhjen e së tashmes, nuk do të mund të ndikojnë ndaj së ardhmes.
Ajo paraprakisht, në profilin e saj në Fejsbuk porositi se është kuptuar porosia nga ata që nuk dolën të votojnë në raundin e parë, më 21 prill. Njëherit iu bëri thirrje atyre të cilët e kanë bërë të pavlefshme fletën e votimit, në raundin e dytë përsëri të dalin dhe të votojnë për të.
“Deri te ata që nuk dolën:e kuptuam mesazhin tuaj dhe absolutisht ju kuptoj për revoltën tuaj dhe nevojën që të shprehni pakënaqësinë nga ngjarjet në skenën politike. Shumë nga ju që nuk pajtoheni me politikat e pushtetit aktual të Zoran Zaevit (krim,dhunë, padrejtësi..) nuk vendosët që të më mbështesni mua. Por e kuptoni se kemi realitet të ri, jemi në prag të fitores. Për këtë ju drejtohem me kërkesën që në raundin e dytë të dilni dhe mospajtimin tuaj me sundimin e keq të këtij pushteti ta shfaqni me votë për opsionin i cili lufton për drejtësi dhe për ndryshim të këtij pushteti jopopullor”, shkroi Siljanovska.
Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj.