Shkup, 25 prill – Kandidatët për president të shtetit Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska – Davkova në TV duelin në Radio Televizionin e Maqedonisë në të cilin i dhanë argumentet e tyre, sonte treguan se pse vlerësojnë se duhet ta fitojnë besimin e votuesve në raundin e dytë, njofton Koha.mk
Pendarovski tha se do të angazhohet për dy shtylla – kohezionin e brendshëm ndëretnik dhe ndërqytetar që do t’i tejkalojë ndarjet e deritanishme dhe joharmoninë, që nga ana tjetër, do të çojë drejt shtyllës së dytë – shtet prosperues, stabil dhe me integrim të plotë evropian. Siljanovska tha se në fokusin e programit të saj është qeverisja e së drejtës dhe drejtësisë, se do të angazhohet për shoqëri qytetare multikulturore dhe se do të bëjë gjithçka që të bëhemi shtet demokratik, dinjitoz në të cilin do të mbisundojë e drejta dhe jo individë dhe grupe.
“Do të jetë rrezik më i madh nëse vihemi në bixhoz me disa rishikime dhe rivlerësime kur jemi në prag të NATO-s dhe për dy muaj duhet të marrim datë për negociata me BE-në… Objektivat e njëjta apo shumë të ngjashme si edhe në raundin e parë pasi programi është i njohur dhe janë punë në të cilat besoj – stabilitet, progres, standard ekonomik, kohezion ndëretnik dhe integrim të plotë euroatlantik. Ndoshta në mënyrë plotësuese përsëri do t’ua bëj të qartë qytetarëve që nuk dolën të votojnë se cili është investimi me këto zgjedhje dhe se nuk duhet të jenë pasiv”, theksoi Pendarovski në duelin e sontëm televiziv.
Siljanovska tha se i qëndron mbrapa fjalës, pasi për të është me shumë rëndësi dhe se filozofia e saj nuk është “them-harroj-mohoj, por them-mbaj në mend dhe realizoj”.
“Standarde evropiane – kjo është filozofia e programit tim. Do të bëj gjithçka që të bëhemi shtet demokratik dhe dinjitoz në të cilin do të mbisundojë e drejta dhe jo individë dhe grupe. Pasi jam grua dhe fjala e gruas presidente është dëshmi për kapacitetin demokratik të këtij vendi. Do të bëj gjithçka atë që e flas ta realizoj”, tha Siljanovska.
Pendarovski pret më 5 maj të marrë vota, prej siç tha, dy kategorive të votuesve – nga votat që në raundin e parë i mori kandidati Blerim Reka. Ata votues që ia dhanë mbështetjen Rekës, tha Pendarovski janë të lirë se si do ta japin votën e tyre në raundin e dytë.
“Edhe ne patëm angazhime të ngjashme strategjike me Rekën dhe mendoj se një pjesë e mirë e këtyre votuesve do ta njohin konceptin e Rekës në programin tim”, tha Pendarovski. Kategoria e dytë janë ata të cilët kanë ndenjur në shtëpi të dëshpëruar prej rezultateve të deritanishme të Qeverisë. Ata i porositi se i kupton, por se nëse janë për konceptin e tij ndërsa sërish rrinë në shtëpi, do të humbiset shumë dhe do t’i japin epërsi konceptit të izolimit.
Në raundin e dytë Siljanovska, siç tha, do të përpiqet t’i bindë apo t’u përgjigjet dilemave të atyre që nuk kanë dalë në raundin e parë. Theksoi se do të bisedojë edhe me shqiptarët, si qytetarë dhe jo si monedhë partiake, dhe siç tha, do t’i përkujtojë për atë që u është premtuar ndërsa nuk është plotësuar.
“Do të bisedoj hapur edhe me përfaqësuesit e Bojkotoj, i kuptoj dilemat e tyre, emri është ai që ju dhemb, apatia, kanë pritur që nga shteti i robëruar të mos ndodhë shteti i rrëmbyer. Do të bisedoj me njerëzit të cilët kanë qenë në VMRO por janë dëshpëruar, kanë abstenuar në këto zgjedhje”, tha Siljanovska.
Ata polemizuan se cila është marrëdhënia e tyre ndaj shqiptarëve dhe pritshmëritë për mbështetje në raundin e dytë prej kësaj bashkësie etnike. Pendarovski tha se kundërkandidatja e tij ka qenë kundër Marrëveshjes së Ohrit, Ligjit të gjuhëve dhe siç tha dukomentet kryesore të cilat i avancojnë të drejtat e shqiptarëve. Sipas tij, Siljanovska sonte në debat është duke i ndryshuar qëndrimet: “Tani po thoni gjëra të tjera që t’ju vardiseni votuesve shqiptarë”.
Siljanovska, nga ana tjetër, tha se si profesoreshë dhe si politikane, nuk është kundër të drejtave të zgjeruara gjuhësore por se kjo është jashtë Kushtetutës dhe ligjeve. “Ju jeni duke bërë politika jashtë të së drejtës. Pyetini ata të cilët e njohin të drejtën kushtetuese, ja pyeteni Renata Deskoskën, çfarë mendon për procedurën për sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Me përgjegjësi pohoj se një pjesë e vendimeve janë jashtë Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit”, tha Siljanovska.
Ajo e mohoi pohimin e Pendarovskit se ka qenë këshilltare e presidentit Ivanov. “Asnjëherë nuk kam qenë këshilltare e Ivanovit, atëherë ishte Shkariqi. Pasi është zgjedhur Ivanovi vetëm njëherë e kam parë lidhur me plenumin e profesorëve dhe Ligjin për arsim të lartë kur e lutëm t’i vedosë veto Ligjit”, tha Siljanovska.
Në duel ata patën mundësi t’ia parashtrojnë njëri-tjetrit nga një pyetje. Në pyetjen e Siljanovskës cili është numri i saktë i të punësuarve, pasi sipas saj Qeveria del me numra të ndryshëm, Pendarovski u përgjigj se mbi 20.000 të punësuar të rinj prej të cilëve dy të tretat në kompani vendore dhe se papunësia tani është më e ulët, gjegjësisht 19,4 për qind.
Pendarovski e pyeti rivalen e tij se kur do ta mbajë fjalën dhe ta tërheqë spotin në të cilin e përqeshin, duke kërkuar prej saj kulturë në komunikim dhe fer plej. Siljanovska tha se menjëherë ka kërkuar të tërhiqet ndërsa nga shtabi i saj i është thënë se njerëzit janë duke e shpërndarë dhe plasuar. (koha.mk)