Pendarovski dhe ne

Edhe pse partitë shqiptare dinë të bëjnë lojëra fjalësh sipas momentit, duhet të themi se ky koalicionim ka gjasa të shërbejë si model për të ardhmen, sepse është hera e dytë kur haptas dhe pa prapaskena, bëhet koalicionimi midis partive maqedonase e shqiptare, i cili po jep fryt

Nga Daut DAUTI

Mbrëmjen kur me 60 mijë vota dallim Stevo Pendrovski “shkeli” kandidaten e VMRO-DPMNE-së, duke u përmbushur censusi i nevojshëm, shkrova një analizë të shkurtër me 8 pika “rezime”. Nën 1 shkrova se VMRO-DPMNE-ja mund të fitojë shumë herë në zgjedhje, por pa u afruar me shqiptarët, asnjëherë nuk do të vijë në pushtet. Këtë e kisha si refleks ndaj triumfalizmit deklarativ të kësaj partie që kandidatja e tyre kishte marrë mbi 370 mijë vota. Me gjithë këto vota, ato qenë të pamjaftueshme kundrejt Pendarovskit, i cili, ndoshta kishte më pak vota maqedonase, por kishte më shumë vota “qytetare”, por lehtësisht të identifikueshme si shqiptare, fakt që vetë fituesi e valorizoi me një ‘faleminderit” në gjuhën shqipe, që atë natë.

FSHATI QË SHIHET NUK DO KALLAUZ

Nën 2 i sugjerova VMRO-së ta mësojë leksionin që s’po arrin ta mësojë. Ndaj nën 3, sugjeroja që çdo reformë e kësaj partie duhet të rezultojë me ndryshimin e filozofisë dhe strategjisë politike që shqiptarët t’i trajtojë si një shpirt të ligë që me vite janë munduar ta luftojnë. Këtë gabim kjo parti e ka që nga themelimi i saj. Ndonëse partia historike, prej të cilës themeluesit e rinj e morën emrin, kishte pasur edhe shembuj të mirë bashkëpunimi me veprimtarë shqiptarë të kohës, madje dhe një ngjarje të madhe të kryengritjes kundër “armikut të përbashkët”-pushtuesit serb(1913), ajo në pluralizëm u rishfaq me platformë antishqiptare në formën më vulgare. Edhe pse me kalimin e kohës e ndryshoi qasjen kundrejt nevojës për bashkëqeverisje, “gogolin shqiptar” e kishte si një platformë profitabile nga zgjedhjet në zgjedhje. Edhe në këtë garë për kryetar, kandidatja Gordana Siljanovska nuk pati as guximin, por as dëshirën, që të tregojë ndonjë “referim” nga pozicionet VMRO-iste kundrejt ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Nuk tha se do ta nënshkruante një ligj të tillë, ndonëse krejt opinioni publik e ka të njohur se kjo parti ishte e gatshme të votojë një ligj të tillë për të mbetur në pushtet! Ndoshta taktizimi ishte si vijon: në këto zgjedhje shqiptarët nuk do të votojnë se nuk do të votojnë për zonjën Siljanovska, ndaj të mos humbim energjinë për votat e tyre, të marrim nga maqedonasit sa më shumë, për të krijuar një iluzion se ajo po e delegjitimon LSDM-në. A do të mbetet ky episodi e fundit kur kjo parti luajti në këtë “letër” është çështje që do ta vlerësojnë strategët e saj, por aq shumë është thelluar animoziteti shqiptar ndaj kësaj partie, saqë vështirë do të gjendet ndonjë subjekt shqiptar që do të ketë guximin të shkonte me VMRO-në edhe sikur të fitonte zgjedhjet. Kjo do të ishte vetëvrasje politike. Por, vetëvrasja politike është edhe për VMRO-në dhe Mickovskin nëse nuk bëjnë një kthesë vendimtare dhe të çlirohen nga gogoli shqiptar, por dhe të merren edhe me disa çështje për konsum brenda etnik maqedonas, siç është identiteti i rrejshëm antik dhe ndryshimi i emrit.( Më detajisht këto i theksova në pikën 6, konstatova diçka që ende mund të duket relative, porse në përballje të dy koncepteve, u pa se disa tema më nuk janë profitabile, duke aluduar në problemin e ndryshimit të emrit të shtetit dhe temat ndëretnike. Mendoj se në të ardhmen këto do ta humbin peshën, me çka do ta normalizojë betejën politike për tema të vërteta të një shoqërie. Ky kualitet i ri mund të sjellë garë më të shëndoshë konceptesh se sa të keqpërdoren frustracionet (intra)etnike(ideintetare) e ndëretnike.)

Por, nën pikën 4, e pashë të arsyeshme t’i sugjeroj edhe LSDM-së që afrimin me shqiptarët të mos e përdorë si mjet për të mbetur në pushtet, sepse ai idil, ashtu siç ka filluar, mund dhe të përfundojë. Edhe kësaj radhe, edhe me një jehonë daljeje jo gjithaq masive, shqiptarët treguan se janë faktorë vendimtarë, porse do të ishte gabim i madh që ata të trajtohen vetëm si numër pa politika të mirëfillta kohezioni. Deri tash Zaevi dhe partia e tij po mbahet mirë, por mungesa e sinqeritetit dhe lojëra tjera pas shpine, mund të përbëjnë një rrezik që në një moment të caktuar, gjithçka të shfryhet si shkumë sapuni.

Nën pikën 7 “u sugjeroj” fituesve të bien përtokë, që t’u dalë dehja e fitores, sepse në rrethin e parë partitë në pushtet morën një porosi shumë të qartë nga qytetarët për mosplotësim premtimesh, sepse nga ai zhgënjim nuk dolën as gjysma e votuesve. Sepse nuk ka besim të dhënë blanko gjer në pakufi. Nën pikën 8, e pashë të arsyeshme se ka nevojë për një porosi drejtuar partive shqiptare, që ta marrin seriozisht, se përkundër apeleve dhe përkundër arritjes së dallimit vendimtar për fitoren e kandidatit Stevo Pendarovski, jehona e daljes në votime në mjediset shqiptare ishte nën 30 për qind. Kjo mbase është sinjali më serioz, jo vetëm të përkrahjes ndaj partive shqiptare, por ndoshta dhe të gjendjen momentale me largimin masiv të rinisë në kërkim të punës dhe sigurisë sociale në perëndim, me çka duhet të merren, sidomos BDI-ja dhe dy partitë tjera shqiptare në qeveri.

KUJT I DUHET “KATEGORIZIMI” I VOTAVE SHQIPTARE?

Pikën 5 të analizës sime të shkurtër e lashë këtu për në fund, sepse më duket se është strumbullari rreth të cilës do të bisedohet edhe gjatë kohë për fitoren e Stevo Pendarovskit. Pika pesë ishte sugjerimi LSDM-së që të mos përpiqet të minimizojë assesi kontributin e partive shqiptare që janë në koalicion e që e përkrahën haptas kandidaturën e Stevo Pendarovskit, por dhe kontributin edhe të partive opozitare, të cilat pas shumë taktizimesh, në fund apeluan për dalje masive në zgjedhje. Çdo përpjekje për të bërë zhvlerësim të këtij kontributi, mund të fusë LSDM-së ujërave të turbullta.

Pesha e votës shqiptare, tash, postfestum, për LSDM-në mund të jetë një barrë prej së cilës, nuk mund të çlirohet, por dhe shton nevojën për thellim bashkëpunimi me to. Këtë duhet theksuar ngase në këtë parti shihen edhe disa tendenca për “të harruar” gjithë odisenë e ardhjes në pushtet, për të bërë tash plane të hapta ose të fshehura, për të minimizuar rolin e akëcilit subjekt, madje me përpjekje për të defaktorizuar partinë më të madhe, BDI-në. Në këtë përpjekje Zaevi mund të bie në grackë përllogaritjesh të gabuara, ngase duket qartë se në elektoratin maqedonas, jo që nuk mund të shpresojë në ndonjë shumicë të ndjeshme, por disa anketa e nxjerrin në disavantash me VMRO-në, sa t’i lejojë vetes luksin të krijojë krizë në koalicion. Kjo jo vetëm që është një “hesap pa hanxhiun”( se nuk dihet si mund të dalë llogaria në fund), por dhe në anën tjetër, mund të duket se raportet me subjektet shqiptare nuk i ndërton në bazë të një korrektësie afatgjate, por sipas çastit. Ka zëra që mund të nxjerrin përfundime të gabuara duke marrë si parametër jehonën e ulët te mjediset shqiptare. Mirëpo, harrohet fakti se partitë shqiptare kanë nxjerrë një optimum vendimtar për fitoren e Pendarovskit, duke u përballur edhe me mentalitetin e votuesit shqiptar jo aq të motivuar për kandidatët jo shqiptarë. Edhe në këtë situatë, LSDM-ja duhet të jetë e vetëdijshme për rolet që patën aktorët politikë dhe angazhimet e tyre konkrete. Puna në terren për të motivuar anëtarësinë nga ana e BDI-së ishte diçka që u pa gjithë kohën dhe apelet për dalje të subjekteve tjera, nuk kanë të njëjtën peshë, ndaj dhe “numërimi” i votave pas fitores, është sikur kalit që fiton garën t’i kërkosh dhëmbët e prishur!

KOALICIONET SHQIPTARO-MAQEDONASE, MODEL PËR TË ARDHMEN

Ndodhi për herë të parë që një kandidat presidencial të jetë i përbashkët me disa parti shqiptare. Nuk ka rëndësi nëse ai mund të quhet “konsensual” siç insiston ta quajë BDI-ja, apo i përbashkët, çfarë ishte realisht, por rëndësia e tij ishte si te koncepti, ashtu dhe te përmbajtja. Te koncepti, sepse disa parti shqiptare që në fillim hoqën dorë nga kandidaturat sa për sy e faqe, dhe mbështetën kandidatin e koalicionit qeveritar dhe në anën tjetër, profili i kandidatit Stevo Pendarovski ishte në të njëjtën vijë me qëndrimet gjeostrategjike të tyre.

Edhe pse partitë shqiptare dinë të bëjnë debate pa nevojë sipas momentit, duhet të themi se ky koalicionim ka gjasa të shërbejë si model për të ardhmen, sepse është hera e dytë(e para ishte në zgjedhjet e kaluara lokale), të kemi koalicion të hapur dhe pa prapaskena, midis një partie maqedonase dhe partive shqiptare, e që po jep fryt. Të kujtojmë se koalicionimi i zgjedhjeve lokale (i kritikuar nga opozita shqiptare), kur BDI-ja hoqi dorë nga gara për kryetar të Shkupit, ndërkaq LSDM-ja ofroi përkrahje BDI-së në Kërçovë, Strugë dhe komuna tjera, ishte vendimtar që këto dy parti t’i të arrijnë fitore.

Rezultati nga zgjedhjet presidenciale dëshmon se po të mos kishte pasur koalicion të LSDM-së me partitë shqiptare, do ta kishte pasur vështirë të fitonte, sikundër që mund të merret si parametër se po të kishin qenë zgjedhje parlamentare, po me këtë koalicion, po ashtu do të kishin siguruar fitore dhe të drejtën për një mandat të ri. Prandaj dhe konstatimi në fillim të tekstit për VMRO-në, kështu siç është e pa reformuar, mund të mbetet edhe gjatë kohë në opozitë. Mund të ndodhë që në një të ardhme, këtë model ta kopjojë edhe VMRO-ja, me një distancim të sinqertë nga gabimet e deritashme dhe me një platformë krejtësisht tjetër që do t’i joshte shqiptarët. E ardhmja, pra, u takon koalicioneve të përziera me parti maqedonase e shqiptare, për çka fitorja e Pendarovskit, dhe zgjedhjet lokale të mëparshme, dhanë modelin më të mirë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)