Shkup, 6 dhjetor – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, sot në Berlin, do të marrin pjesë në Konferencën “Dialogjet Ballkanike”.
Presidenti Pendarovski, do të mbajë fjalim në seancën plenare me temë “Zgjerimi i BE – premtim i paplotësuar – çka tash?”, ndërkohë ministri Dimitrov, në sesionin kushtuar “Përforcimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Në takimin të cilin e organizon Konferenca e Sigurisë e Munihut (KSM), Institutit “EAST WEST” dhe Fondi i Beogradit për përsosmëri politikë, pritet të flitet për mos’hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, edhe pse dy shtetet i përmbushën detyrat të cilat ua dha Brukseli. Po ashtu temë diskutimi në këtë takim do të jetë edhe propozimi i Francës për ndryshimin e metodologjisë për aderim dhe nevojën e kthimit të perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mes tjerash pritet të flitet edhe për dialogun Beograd-Prishtinë, edhe për çështje tjera aktuale në rajon. Në mesin e pjesëmarrësve janë paralajmëruar i dërguari special i SHBA-së, për Ballkanin, Methju Pallmer, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri Kethrin Eshton, presidenti i KSM-së, Vollfgan Ishingeri dhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Gjatë qëndrimit në Berlin, shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, krahas pjesëmarrjes në këtë konferencë, është paraparë të ketë takim me përfaqësuesit e ministrisë për Punë të Jashtme të Gjermanisë dhe me përfaqësues të Kabinetit të kancerales, Angela Merkel.