Shkup, 12 gusht – Presidenti Stevo Pendarovski deri të premten, kur skadon afati dhjetëditësh, do ta ndajë mandatin për përbërje të qeverisë së re atij që do të ketë shumicë. Shefi i shtetit, siç kumtojnë nga kabineti i tij është konsultuar me ekspertë të shquar, me ç’rast ka përfunduar se Kuvendi është konstituuar më 4 gusht dhe se prej atëherë vijojnë afatet kushtetuese për ndarje të mandatit.
“Presidenti është konsultuar me emra juridik të shquar dhe konkluzioni ishte i qartë: Që të konsiderohet se Kuvendi është konstituuar, nevojitet verifikim i mandateve të deputetëve, ndërsa jo zgjedhja e dikujt. Presidenti Pendarovski, edhe pse i kupton motivet e kryetarit Xhaferi, mbetet në qëndrimin e tij i cili megjithatë e konfirmon edhe praktikën politike në të gjitha vitet e kaluara kur në pushtet ishin opsione të ndryshme politike”, thuhet në reagimin e kabinetit të presidentit të shtetit.
Reagimi ka të bëjë me qëndrimet të cilat i nxori presidenti i deritanishëm i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili për TV 21 tha se nëse presidenti Pendarovski e ndan mandatin për formim të Qeverisë, pa zgjedhur një kryetar të ri parlamentar atëherë hapi i tij do të ishte kundërkushtetues.
“Jokushtetuese është ndarja e mandatit pa pasur kryetar Kuvendi i cili do t’i vë në funksion afatet tjera të cilat duhet t’i ndjek Kuvendi, sepse shtëpisë ligjdhënëse afatet i fillojnë nga momenti kur do ta marrë njoftimin nga shefi i shtetit se mandati i është besuar. Një person i paautorizuar nuk mund t’i informojë deputetët”, theksoi Xhaferi mbrëmë në intervistë për emisionin “10 minuta” në TV 21.
Kabineti i Pendarovskit sqaron se qëndrimi i tyre themelohet në përvojat paraprake në raste të tilla për të cilat ka dokumentacion të verifikuar.
“Në vitin 2016, ish kryetari, Trajko Veljanovski, ka dërguar shkresë, datuar në ditën 30 dhjetor 2016, me të cilën e informon ish presidentin Ivanov se Kuvendi është konstituuar me verifikimin e mandateve, edhe pse nuk është zgjedhur president”, sqarojnë nga kabineti.
Nga kabineti e potencojnë edhe rastin e vitit 2006, kur Kuvendi konsiderohej si i konstituuar me nënshkrimin e ish kryesuesit në seancën konstituive, Stojan Andov.Kabineti i presidentit, siç potencuan atëherë prej atje, e pret shkresën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, me të cilën do të informojë se Kuvendi është konstituuar me verifikimin e mandateve më 4 gusht të vitit 2020. (koha.mk)