Përkundër derdhjes me qindra miliona euro subvencione në vitet e kaluara si dhe potencialit të madh bujqësor, megjithatë në një pjesë të madhe konsumojmë pemë perime nga jashtë në vend se të kënaqin nevojat nga prodhimtaria bujqësore vendore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 gusht – Përkundër derdhjes me qindra miliona euro sunbvencione në vitet e kaluara si dhe potencialit të madh bujqësore , klimës dhe tokës bujqësore, megjithatë në një pjesë të madhe konsumojmë pemë perime nga jashtë në vend se të kënaqin nevojat nga prodhimtaria bujqësore vendore. Groshë prej Kirgistani, hudhra prej Kine , lakra prej Spanje. Bile edhe në tezgat e tregut apo raftet e shitoreve që ofrojnë pemë-perime, shpesh edhe gjysma e ofertës vjen nga shtetet evropiane apo edhe shtetet më të largëta, shkruan gazeta KOHA.
Ekspertët e bujqësisë thonë se karakteri sezonal i prodhimit që dikton që në varësi prej kushteve klimatike tek ne vjen ofrohen lloje të caktuara të perimeve , por edhe pamundësia që prodhuesit vendor të jenë konkurrues me sasi dhe çmime shkakton që në kushte të një ekonomie të hapur dhe globale që të konsumojnë prodhime bujqësore nga importi.
Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se bujqësia vendore në 25 vitet e kaluara ballafaqohet me sfida të mëdha siç janë anëtarësimi në Organizatën Botërore të tregtisë, marrëveshjet për asocim dhe stabilizim me BE-në , si dhe anëtarësimi në CEFTA, që kanë zgjeruar mundësitë si për rritjen e eksportit nga njëra anë, por edhe për rritjen e konkurrencës në tregun vendor nga ana tjetër. Nga atje shtojnë se si shtet nuk mund të jemi konkurrues në tregjet e jashtme me sasi stabile dhe të mëdha të prodhimeve bujqësore, por duhet të stimulohen më shumë në këtë drejtim, bizneset e vogla familjare me karakter inovativ që i posedojmë tradicionalisht në rajone të caktuara, dhe atë përmes prodhimtarisë së prodhimeve të ndryshme të njohura për treva të caktuara siç janë mjalti, rrushi, pije të ndryshme alkoolike dhe joalkoolike, marmelata, çaja, mëlmesa, pemë të thara, djathëra …..
“ Potencialet e bujqësisë në vend nuk janë të shfrytëzuara tërësisht ku të papërpunuara mbeten një e treta e arave , ndërsa subvencionet nuk kanë dhënë efektet e duhura. Gjithashtu mungojnë edhe komunitete rurale të qëndrueshme që do të kenë plasman më intensiv në tregjet e jashtme”, thotë Vasko Ristovski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij bujqësia vendore gjendet në një udhëkryq, dhe në prag të transformimit në bujqësi moderne që e presin mjaft sfida. Nga njëra anë kemi lëvizjet në botë në bujqësi si dhe ndryshimet klimatike, ndërsa nga ana tjetër kemi konkurrencën dhe zbatimin edhe të zgjidhjeve të reja të teknologjisë informatike në bujqësi shton ai.
Në ndërkohë , agronomët thonë se problemi qëndron edhe tek prodhimtaria primare ku një fermë shpesh ka edhe pesë arra të largëta që e shtrenjton prodhimtarinë bujqësore, ndërsa me një mënyrë të tillë të punës vështirë se mundet bujkut të jetë konkurrues në treg. Gjithashtu problem jo i vogël është edhe përpunimi i dobët i prodhimeve bujqësore në fabrikat vendore .
“Nga njëra anë ne eksportojmë pemë dhe perime të freskëta, ndërsa nga ana tjetër harxhojmë me miliona euro për importin e tyre si prodhime të ngrira apo të konzervuara . Kjo paraqet një problem të vjetër që nevojitet të zgjidhet në mënyrë strukturore “, thotë ekspertja Tanja Sokoloviq.
Në ndërkohë , analizat e ndryshme si dobësi kryesore të bujqësisë në Maqedoni theksojnë ekonomitë e vogla bujqësore me kapacitete të dobëta prodhuese, nivelin e lartë të parcelizimit të tokës bujqësore me qasje të kufizuar ndaj ujit, nivelin e ulët të shkathtësive për menaxhim të fuqisë punëtore në bujqësi dhe popullatës rurale, përfaqësimin e dobët të racave dhe sorteve , mungesën e kapitalit vetanak, dhe qasjen e vështirësuar ndaj kredive të ekonomive bujqësore , produktivitetin e ulët në bujqësi dhe industrinë ushqimore , pjesëmarrjen e lartë të prodhimeve bujqësore me vlerë të ulët të shtuar .
Vlerësohet se potenciali eksportues i agro-sektorit vendor në tërësi qëndron tek pemët dhe perimet sidomos tek ato organike dhe përpunimet e tyre. Vreshtaria dhe prodhimi i verës dhe duhani gjithashtu kanë potencial dhe rëndësi të madhe eksportuese. Edhe mishi i gjedhit dhe i dhisë dhe përpunimet e qumështit prej këtyre kafshëve kanë mundësi të madhe për eksport. Përpunimet e qumështit kanë potencial të caktuar eksportues, por vetëm me rritjen e vlerës së shtuar, rritjen e asortimanit dhe cilësisë. (koha.mk)