Bruksel, 20 shkurt – Kryetarja e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Nensi Pelosi në takime me krerët e BE-së dhe NATO-s në Bruksel, tentoi t’i bindë partnerët se SHBA-ja mbetet e përkushtuar në lidhjet transatlantike.
Në kushte të marrëdhënieve të përkeqësuara me Administratën e presidentit amerikan Donald Tramp, Pelosi u takua me njeriun e parë të Komisionit Evropian, Zhan-Klod Junker dhe e vizitoi selinë e Aleancës Veriatlantike.
“Jemi këtu për ta përsëritur përkushtimin tonë ndaj aleancës transatlantike, NATO, respektin tonë ndaj BE-së dhe dëshirën tonë për të punuar së bashku për ta përforcuar Aleancën”, deklaroi Pelosi para gazetarëve.
Delegacioni amerikan i kongresistëve, i përbërë prej më shumë anëtarëve me ndikim të Dhomës Përfaqësuese, më shumë herë përsëriti se angazhimi i SHBA-së ndaj NATO-s është “i qartë”, në kohën kur Tramp gjithnjë e më shpesh e vë në pikëpyetje përkatësinë e SHBA-së në Aleancë.
Marrëdhëniet midis BE-së dhe SHBA-së u përkeqësuan pas ardhjes së Trampit në Shtëpinë e Bardhë. Mospajtimet janë të shumta midis partnerëve – të marrëveshjes bërthamore për Iranin e deri tek tensionet tregtare.
“Ne jemi familje, me momente të mira dhe të këqija, mospajtime, por ndajmë konceptin e njëjtë për botën”, tha kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, Eliot Engel.
Gjatë vizitës në Bruksel, kongresistët theksuan se është kyçe BE dhe SHBA-ja të bashkëpunojnë në të gjitha fushat: kanosjet nga Rusia dhe Kina, nga terrorizmi dhe ndryshimet klimaterike.
“Një fjalë: respekt, jo vetëm të flasim për dallimet tona por ta bëjmë atë në mënyrë e cila e njeh rëndësinë e të gjitha palëve”, tha Pelosi në takimin me Junkerin.
Pelosi u takua edhe me përfaqësuesen e lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, me të cilën foli për lidhjet transatlantike, bashkëpunimin në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, të drejtat e njeriut dhe politikën tregtare, si dhe rëndësinë që të ruhet multilateralizmi. (koha.mk)