Me triumfin e djeshëm 3-0 ndaj Osasunës, klubi andaluzian i Betisit siguroi mbijetesën në La Liga, ndërsa sot ka njoftuar se ka bërë përzgjedhjen e trajnerit që do të drejtojë ekipin duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Bëhet fjalë për një emër të njohur si Manuel Pelegrini, i cili në karrierën e tij ka drejtuar skuadra të njohura si Reali i Madridit e Manchester City, ndërsa me këtë të fundit ka fituar edhe titullin kampion në Premier League.
Tekniku 66-vjeçar së fundi ka qenë në pankinën e anglezëve të West Hamit, prej ku u shkarkua në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa tani firmosi si trajner i lirë me klubin andaluzian, ku do të marrë vendin e Alexis Trujillos, i cili kryente rolin e trajnerit të përkohshëm prej 4 javësh.