Shkup, 17 dhjetor – Porosinë e kryeministrit Zoran Zaev e kuptojmë më shumë si nxitje se sa si iniciativë. Kryeministri e di se nuk është e gjithë fuqia te ne, për këtë iu bëri thirrje të gjitha institucioneve të tjera të cilat mund ta bëjnë këtë. Është komplekse e gjithë procedura për ndjekjen e gjendjes pronësore.
Kështu u përgjigj Sofka Pejovska Dojçinovska, anëtare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në pyetjen e gazetarëve se si e sheh thirrjen e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev për veting në gjyqësor, duke pasur parasysh atë që KSHPK dorëzon raporte deri te Kuvendi.
“Nëse tashmë e zgjerojmë rrëfimin rreth vetingut të famshëm, nuk është vetëm gjendja pronësore që duhet të ndiqet te njerëzit e gjyqësorit. Mbesim në vijë të frontit, tashmë i kemi hapësirat e reja, pajisja do të fillojë të instalohet, e kemi sistemin e ndërveprimit dhe shpejtë do të hymë në procedurë e cila do t’i hapë dyert për hetim më të shpejtë dhe më të madh të gjendjes pronësore jo vetëm të njerëzve në gjyqësor, por për të gjithë personat e zgjedhur dhe të emëruar në shtet. Kjo nuk duhet të shihet në mënyrë segmentale”, deklaroi Pejovska Dojçinovska në forumin e sotëm “A denoncohet dhe si denoncohet korrupsioni në institucione? Cilat janë mekanizmat e institucioneve, a ka linja për denoncim, a funksionojnë ato, efektet dhe rezultatet?”.
Ajo potencon se KSHPK-ja ka kompetencë që ta hetojë gjendjen e pronësisë, por për momentin nuk ka kapacitete.
“Për fat të keq është kështu. Ne nuk kemi jo vetëm resurse njerëzore, por nuk kemi as kushte teknike, sepse pajisjet të cilat i kemi marrë nga BE-ja ende nuk janë instaluar, sepse nuk jemi transferuar në hapësirat e reja. Ajo pajisje është pikërisht në atë funksion, përmes asaj pajisje dhe ndërveprimit jemi të lidhur me 17 institucione që t’i marrim të dhënat dhe ta zbatojmë procedurën”, tha ajo dhe përsëriti se me Ligjin e ri, krahas ndjekjes klasike të gjendjes pronësore, KSHPK-ja ka të drejtë edhe të hetojë.