Synimi kryesor i zhvillimit profesional është kërkesa që ngritja profesionale të mbështetet në programe cilësore për të cilat ka nevojë arsimtari. Së pari, një ndryshim në karrierë është indikator për arritje më të larta profesionale e personale dhe kjo implikon nevojën për qasje sistematike të ngritjes profesionale
Nga Xheladin MURATI
Pa dyshim që sot zhvillimi profesional po shfrytëzohet si faktor për aftësim të arsimtarëve për ta lehtësuar procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ai është njëlloj trajnimi për t’u aftësuar për të ndryshuar metodat tradicionale të punës mësimore. Në këtë kontekst, duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme në arsim, zhvillimi profesional paraqitet si element kyç dhe i domosdoshëm për të rritur cilësinë në mësimdhënie. Ai kontribuon në nxitjen e ideve dhe aftësimin e arsimtarëve për punë atraktive dhe kreative. Zhvillimi profesional si koncept bashkëkohor pedagogjik dhe komponentë është i rëndësishëm si për aspektin personal, ashtu edhe për aspektin profesional.
Zhvillimin profesional e vë në lëvizje arsimi formal, arsimi joformal dhe arsimi informal. Filozofia e zhvillimit profesional përfshin të gjitha profesionet dhe ajo mund të kuptohet si arsimim permanent apo aspekt i arsimimit të të rriturve. Sidoqoftë, ai është pjesë e konceptit arsimim gjatë gjithë jetës, përmbajtja e të cilit duhet të mbështetet në seleksionim të dijeve sipas parimeve vijuese: 1. Dije themelore, 2. Dije të përgjithshme dhe 3. Dije të specializuara.
I. PREMISAT. Ngritja e cilësisë në mësimdhënie është kërkesë e vazhdueshme pedagogjike. Zhvillimi profesional është një nga faktorët që nxit kureshtjen për të rritur nivelin e cilësisë në mësim. Zhvillimi profesional sjellë ndryshime në udhëheqjen e procesit mësimor, në profesionalizim dhe në ndërtimin e karrierës. Për trajtimin e temës kemi katër premisa bazë:
1. Zhvillimi profesional bëhet individualisht dhe institucionalisht, por ai që bëhet në rrugë institucionale me qëllime dhe detyra të caktuara është esencial.
2. Njohuritë nga fusha e pedagogjisë kontribuojnë edhe në rritjen profesionale të arsimtarëve.
3. Dijet nuk përfundojnë me përfundimin e shkollës-fakultetit, ato vazhdojnë intensivisht pas saj. Mësimi i vazhdueshëm është element kyç për konsolidimin e diturive dhe sigurimin cilësisë në mësimdhënie.
4. Zhvillimi profesional është motivim për të qenë më mirë, për t’u ngjitur më lartë dhe për t’u ballafaquar me sfida të reja profesionale.
Mendoj se këto premisa apo arsye janë të pranishme dhe të ndërlidhura me punën mësimore të arsimtarëve. Gjithashtu është evident edhe nevoja, besimi se pritshmëritë në mësim do të avancohen në proces të ndërtimit të karrierës dhe përsosjes profesionale.
II. QASJE DHE ASPEKTE. Qëllimi i zhvillimit profesional, qëllimi themelor e kryesor është investimi tek arsimtarët me ose pa përvojë që aspirojnë të jenë sa më profesional e cilësor në karrierën e tyre pedagogjike.
Zhvillimi profesional është komponentë dhe koncept pedagogjik me synime të qarta për reformimin e procesit edukativ-arsimor. Programi i saj duhet të jetë gjithnjë i adaptueshëm me kërkesat bashkëkohore të kohës dhe teknologjive mësimore. Ajo është një sfidë më vete që synon dhe nënkupton evoluimin dhe transformimin e dijeve. Programi duhet të ketë parasysh 5 elemente:
1. Njohurit e profilizuara,
2. Të mësuarit e lehtë,
3. Njohuri në bazë të mekanizmave për punë praktike,
4. Kontrollim i progresit, dhe
5. Zhvillimin e kompetenca profesionale dhe personale.
Si koncept pedagogjik, zhvillimi profesional synon realizimin e pesë aspekteve themelore: 1. Inkurajimin e arsimtarëve për punë cilësore; 2. Zbatimin e metodave e teknikave mësimore moderne për të mësuar dhe zhvilluar shkathtësitë; 3. Të nxis kreativitetin në punën mësimore; 4. Rritjen e cilësisë në mësimdhënie, dhe 5. Zbulimin e strategjive të reja që do ju ndihmojnë ndryshime në karrierë.
Mendoj se përqendrimi për t’u kualifikuar dhe zhvilluar profesionalisht nëpër rrugët pedagogjike e nxit motivimin tuaj dhe ndihmon në tejkalimin e situatave të vështira në mësim. E gjithë që ka nevojë arsimtari është motivimi dhe inspirimi. Duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme në nivel global, mësimi i vazhdueshëm dhe kureshtja imponohen si dy elemente boshte për të arritur sukses. Suksesi varet edhe nga investimi që individi bën për vete po edhe nga institucionet përkatëse të cilat investojnë, në rastin konkret te arsimtarët për ta përmirësuar cilësinë e punës mësimore.
Filozofia e zhvillimit profesional (e ngritjes profesionale) ka të bëjë me faktin që mësimdhënia nuk duhet të jetë monotone, tradicionale por duhet të bëhet me kënaqësi dhe atraktive. Ky koncept përfaqëson një nga faktorët unik me qëllim kryesor rehabilitimin e dijeve dhe përvojave. Ndër përfitimet e zhvillimit profesional si ndërmarrje pedagogjike mund të përmendim tre elemente: Rritjen e fleksibilitetit të mësimdhënies, Qëndrimin korrekt ndaj ndryshimeve dhe risive, Ndërtimin e karrierës dhe dizajnimin e procesit mësimor.
Zhvillimi profesional si koncept pedagogjik ka funksion të pajis me një eksperiencë shtesë arsimtarët për të mbajtur në gjendje mobile aftësitë organizative të qasjeve dhe të kompetencave në procesin e edukimit. Në këtë mënyrë krijohen kushte për depërtim në cilësi apo ndërtimin e mirëfilltë të karrierës me nuanca të caktuara.
Zhvillimi profesional ngërthen vlera të shumta dhe synon që arsimtarët të jenë të informuar vazhdimisht me risitë në lidhje me prurjet e reja didaktike e teknologjike. Është me rëndësi që zhvillimi profesional (stërvitjet, seminaret, tryezat e punës etj.) si forma të zhvillimit profesional të përshtaten me kërkesat për bashkëkohësimin e mësimdhënies, jo të komplikojnë gjërat e qasjet . Format e ndryshme të ngritjes profesionale, që synojnë aftësimin e arsimtarëve qoftë për bashkëkohësimin e mësimdhënies, qoftë për qasje shkencore apo planifikim e programim të mësimit duhet të fuqizojnë ndryshimet. Këto në radhë të parë duhet të nxisin kureshtjen, sepse ato kontribuojnë në nxitjen e ideve për inovacione e freskimin e njohurive si dhe krijimin e kushteve për organizim të mësimit atraktiv dhe hapjes së mundësive për bashkëkohësimin e procesit të të nxënit. Pavarësisht cilat forma zbatohen në ngritjen profesionale organizatorët duhet të kenë parasysh dy elemente: 1. Gjeni kohë dhe hartojeni një plan veprimi dhe 2. Caktoni objektivat specifike dhe reale për çdo temë që do të trajtohet.
Arsimtarët kanë nevojë për nxitje dhe përkrahje dhe zhvillim profesional me qëllim të ngritjes profesionale e pedagogjike të mësimdhënies. Sfidat janë atraktive dhe të shtynë drejtë përmirësimit dhe avancimit të dijes, përvojës dhe karrierës. Besoj shumë që zhvillimi profesional është një mundësi e madhe dhe një potencial i jashtëzakonshëm në ndihmë arsimtarëve për ndërtimin e karrierës së tyre. Për mua njohjet akademike dhe përvoja profesionale kanë qenë gjithnjë të ndërthurura. Përgatitja akademike është kyç për një avancim në karrierë dhe në profesion, madje suksesi varet drejtpërdrejti nga edukimi dhe trajnimet. Pikërisht trajnimet e bëjnë diferencën në nuanca të pritshmërive. Sa më shumë avancon shkalla e diturive, aq më shumë dallohen diferencat në qasje. Për më tepër, unë jam i bindur që duke hapur rrugën e zhvillimit profesional, arsimtarët do të kuptojnë se duke investuar në dije përmirësojnë aftësitë profesionale, zhvillojnë kompetencat dhe kontribuojnë në bashkëkohësimin e mësimdhënies.
III. KONKLUZION. Thënë shkoqur, shkurt dhe si konkludim, synimi kryesor i zhvillimit profesional është kërkesa që ngritja profesionale të mbështetet në programe cilësore për të cilat ka nevojë arsimtari. Së pari, një ndryshim në karrierë është indikator për arritje më të larta profesionale e personale dhe kjo implikon nevojën për qasje sistematike të ngritjes profesionale. Së dyti, zhvillimi profesional mundëson të zbulohen strategji që arsimtarit i ndihmon të punoj me cilësi dhe me efikasitet në procesin e mësimdhënies. Zhvillimi profesional fuqizon ndryshimet cilësore në arsim dhe avancon përparimin në karrierë. Së treti, në programet përkatëse të trajnimeve për zhvillim profesional duhet tu kushtohet vëmendje më e madhe aftësimit të arsimtarëve me shkathtësi dhe kompetenca profesionale. (koha.mk)