Sistemi arsimor shqiptarë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sistem që i edukon nxënësit dhe studentët në mënyrë të gabuar. Sipas pedagogut Hasani njëra ndër mekanizmat për të arritur deri tek një arsim cilësor janë edhe protestat.
Remzije BILALLI
Nesër #mestudentët
Për sa vite me radhë studentët e Shqipërisë hasen me këto probleme?
U bënë plotë 28 vite që studentët në Shqipëri përballen me problematika ekzistenciale. Një kalvar i gjatë vuajtjesh, lodhjesh dhe përcmimi që ka rënduar mbi kurizin e mijra studentëve në gati 3 dekada. Kosto të jashtëzakonshme intelektuale dhe financiare që janë të parikuperueshme për vendin si pasojë e moszgjidhjes së këtyre problemeve në momentin e duhur.
Nëse pyesni se kush është problemi më i madh i studentëve shqiptarë sot? Të gjithë do ju përgjigjeshin se është mungesa dhe respektimi i të drejtave të studentëve. Pa fituar këto të drejta jo vetëm studentët, por e gjithë shoqëria shqiptare ka për të ngelur peng i moszhvillimit dhe antiintelektualizmit.
Përse studentët nuk kanë qenë të zëshëm edhe më parë, mendoni se ka prapavi politike?
Sistemi arsimor shqiptarë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sistem që i edukon nxënësit dhe studentët në mënyrë të gabuar. Ky sistem nuk nxit mendimin kreativ dhe kritik, por bënë të kundërtën, i detyron ata të kthehen në njerëz të robotizuar që vetëm riprodhojne, recitojnë, ose mesojnë përmendësh. Kjo është arsyeja e mosreagimit të studentëve qoftë për problematikat që lidhen me universitetin, por edhe me institucionet qeveritare.
Sot studentët kanë më shumë informacion sesa studentët e 10 viteve më parë, janë më të ndërgjegjshëm për problematikat e tyre, patjetër që janë më të zgjuar dhe po përdorin mendimin kritik për të analizuar fenomenet dhe shkaqet e problematikave studentore.
Protesta nuk ka prapavijë politike. Ajo është protestë e studentëve, ata janë të gatshëm të presin këdo që dëshiron t’i mbështesë për kauzat e tyre. Emri i vetëm i kësaj proteste janë STUDENTËT.
Pedagoget kanë përgjegjësinë morale të suportojnë studentët, sepse në fakt problematikat e studentëve janë edhe problematikat e pedagogëve.
Nga kush janë organizuar protestat fillimisht, a janë përfshirë edhe studentët e universiteteve private dhe studentët nga qytetet tjera?
Protestat janë organizuar nga studentët, ato kanë ardhur në mënyrë spontane. Kjo është një protestë fantastike e studentëve, sado t’a sfumojnë elementë ekstremist, jam i sigurt që studentët do t’i japin përgjigjen e merituar. Studentët nuk po i kërkojnë asgje ilegjitime qeverisë. Po i kërkojnë të drejtat e mohuara të studentëve prej vitesh. Në protestë janë përfshirë edhe studentët e qyteteve të tjera si Durrësi, Shkodra dhe pjesërisht edhe nga universitet private.
Cila është zgjidhja nga ministria e arsimit, në qoftë se nuk përmbushen kërkesat a duhet të vazhdojnë protestat?
Në fakt është një problem që del përtej ministrisë si institucion që amortizon të gjitha problematikat e sistemit arsimor shqiptar. Problemi qëndron tek prioritetet e qeverisë, a ka vullnet qeveria, por sigurisht edhe parlamenti të vendosin problematikat e studentëve dhe sistemit arsimor shqiptar si prioritet strategjik për modernizimin e vendit.
Ministria e Arsimit duhet të reflektojë, klasa politike shqiptare duhet të reflektojë, politikanët që kanë qeverisur vendin në 28 vite duhet t’i kërkojnë një ndjesë të madhe publike studentëve aktual dhe ish-studentëve për kostot ekstra që ju kanë shkaktuar nga shërbimet e munguara që e kishte për detyrë t’ua siguronte qeveria dhe universiteti.
Jemi në situaten kur në dialog, nëse do të ketë dialog, studentët shqiptarë t’i kërkojnë qeverisë të paguaj faturën financiarë të të gjitha shërbimeve të munguara të studenteve aktual dhe ish-studentëve në 28 vite.
Këtë duhet t’i kërkojnë në protestë studentët ministrisë, qeverisë dhe politikanëve.
Studentet duhet të bëhen një grup akoma dhe më i fuqishëm interesi, pertej bindjeve politike që studentët mund të kenë, përtej inateve dhe ndasive, ka ardhur koha që studentët të kuptojnë se ka shumë kauza që i bashkojnë sesa i ndajnë nga njëri-tjetri.
Protesta duhet të vazhdojë nëse kërkesat nuk plotësohen, studentët duhet të përdorin të gjitha mekanizmat për të arritur fitoren e tyre. Kjo do të jetë fitorja e studentëve, jo e partive politike dhe levizjeve ekstremiste.
I bëj thirrje pedagogëve t’i mbështesin studentët e tyre, vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri më të begatë në të ardhmen!
(Intervistë me pedagogun nga Shqipëria Leons Hasani)