PE vendos të ndëshkojë Hungarinë, pengesë bëhet Polonia

Parlamenti Europian votoi me shumicë pro hapjes së procedurave kundër Hungarisë, për shkak të shkeljeve të shtetit ligjor. Mocioni i votuar këtë të mërkurë do t’u kalojë tashmë krerëve të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të marrë vendimin përfundimtar.

Në këtë fazë të dytë kërkohet votim unanim për të pezulluar të drejtën e votës për Hungarinë dhe nisjen e sanksioneve, një lëvizje që gjithsesi pritet të bllokohet nga Polonia.

Akuzat janë të forta, ndërkohë që kryeministri hungarez u mbrojt dhe premtoi se nuk do të dorëzohej. Parlamenti Europian dëgjoi më herët Viktor Orbanin, i cili mbërriti në sallë me 12 minuta vonesë.

Lista e akuzave është e gjatë. Qeveria hungareze akuzohet se ka shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, lirinë e shkencës, ka vepruar kundër tolerancës dhe solidaritetit.

Deputetët europianë kërkuan një proces sipas “Artikullit 7” të Pakteve të BE-së. Këshillit të Ministrave iu kërkua të përcaktonte sa është rrezikuar shteti i së drejtës në Hungari dhe të merrte masa për këtë.

Hungarisë mund t’i hiqet e drejta e votës në BE, nëse Orban vazhdon të mos dëgjojë. Këtë hap drastik, një proces sipas “Artikullit 7”, Parlamenti Europian nuk e kishte ndërmarrë asnjëherë më parë.

Para deputetëve europianë, Orban hodhi poshtë akuzat dhe u hodh në kundërsulm.

“Ju merrni përgjegjësi të madhe, kur doni t’i vini vulën një vendi dhe doni të përjashtoni një popull”, tha ai, duke pretenduar se Hungaria po dënohet sepse nuk do që të ketë emigrantë.

Top Channel

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com