Bruksel 30 nëntor – Eurodeptuetët në seancë plenare dje kanë miratuar raportin e Ivo Vajgëlit për Maqedoninë ku kërkohet fillimi i negociatave me Maqedoninë në qershor të vitit 2019 dhe ekstradimi i Nikolla Gruevskit.
Me 470 vota për dhe 116 kundër, Rezoluta për Maqedoninë e votuar dje ka të bëjë me “forcimin e përpjekjeve reformuese” të vendit si dhe votimin në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshimet kushtetuese të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës. Eurodeputetët kanë vlerësuar se kjo marrëveshje paraqet sinjal pozitiv për pajtim dhe stabilitet në rajon.
Parlamenti Evropian kërkon nga Maqedonia të tregojë rezultate në procesin reformues, veçmas në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe ligjet tjera me rëndësi për hapjen e negociatave në qershor të vitit 2019.
Raportuesi Ivo Vajgël, por edhe eurodeputetë tjerë kanë rikujtuar se jo vetëm Maqedonia, por edhe BE-ja duhet të përmbush premtimet e saja në procesin eurointegrues. Ai dhe shumë të tjerë kanë përshëndetur Marrëveshjen e Prespës dhe ka ftuar ai të kompletohet në Kuvendin e Maqedonisë dhe porositi se beson se negociatat me BE-në do të fillojnë në vitin 2019.
“Për këtë nevojitet ambient inkluziv demokratik, të gjithë duhet të bashkëpunojnë, duhet të modernizohet sistemi gjyqësor, të respektohet sundimi i së drejtës, të krijohet hapësirë për media të lira, të mbrohen gazetarët dhe të zhvillohet luftë efikase në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka porositur Vajgël.
Amendamentet e dorëzuara nga ana eurodeputetëve grek ku kërkohet të fshihet mbiemri “maqedonas” çdokund në raport janë hedhur poshtë nga ana e shumicës së europdetëtëve në votimin e djeshëm.
Por, eurodeputetët i kanë miratuar dy amendamentet të cilët kërkojnë nga Hungaria të ekstradojnë ish kryeministrin Nikolla Gruevski në Maqedoni.
Amendamenti i dorëzuar nga eurodeputetët e Të Gjelbërve, përveç që kërkon ekstradim, theksohet se Gruevski ka ikur nga Maqedonia me pasaportë diplomatike të Hungarisë që t’i shmanget dënimit me burg dhe e konsideron si mënyrë e përzierjes në punët e brendshme të Maqedonisë veçmas ndaj gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës në vend.
Ndërkohë, socialdemokratët kanë dorëzuar dy amendamente për azilin e Gruevskit dhe që të dy janë miratuar. Me këto amendamente, Parlamenti Evropian vë në dijeni se Nikolla Gruevski ka fituar “proces gjyqësor transparent” e vërtëtuar nga më shumë instanca gjyqësore dhe rikujton se ai është i involvuar edhe në pesë hetime tjera penale.
Është miratuar edhe amendamenti i grupit të Të Gjelbërve për rrezikimin e mjedisit jetësor përmes disa projekteve infrastrukturore. Parlamenti Evropian kërkon të suspendohen projektet në parkun nacional “Mavrovë” derisa nuk kompletohet “Vlerësimi strategjik për mjedisin jetësor” në pajtueshmëri të plotë me legjislativin evropian për mjedis jetësor.
Ndryshe, Parlamenti Evropian çdo vit voton rezolutë për secilin vend kandidat për zgjerim, pas publikimit të raporteve të KE-së për këto vende. Këto rezoluta janë qëndrim zyrtar i PE-së që Këshilli dhe Komisioni e marrin paraysh edhe pse nuk është tekst juridikisht i obligueshëm.