“Litari” që ua lidhë duart autoriteteve lokale dhe i ndalon ata që të përmbushin zotimet e tyre për luftën kundër ekspansionit ndërtimor është Rregullorja për standarde dhe normativa në planifikimin hapësinor, i sjellë në vitin 2015 nga ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski. Një prej dispozitave të tij është se kur me një plan urbanistik do të përcaktohen dimensionet e një ndërtimi ose shënimi ndërtimor, me planet e ardhshme ato nuk mund të ulen, por vetëm të mbeten të njëjta ose të rriten
Shkup, 26 prill – Ekzistojnë së paku tri arsye që vështirësojnë revidimin e pritur të të planeve të detajuara urbanistike që të ndërpritet ndërtimi masiv në Shkup. E para janë dispozitat ligjore sipas të cilave e drejta e arritur ndërtimore nuk mund të hiqet, por vetëm të mbindërtohet. E dyta është presioni për ndërtim nga investitorët, dhe si firma ndërtimore, por edhe si qytetarë dhe pronarë të pronave, dhe e treta është varësia e komunave nga paratë që i fitojnë për shërbime komunale.
Megjithatë kjo nuk i pengoi një pjesë të kryetarëve të rinj të komunave para zgjedhjeve lokale të premtojnë se do të revidojnë PDU-të që të ndërpresin kaosin urbanistik. Pasi nëpër kryeqytet filluan të “mbijnë” ndërtesa edhe pas zgjedhjeve, autoritetet lokale ballafaqohen me kritika sa më të zëshme se nuk kanë ndryshuar asgjë dhe se po bëhen të njëjtë sikurse paraardhësit e tyre.
Në vitin 2013, Andrej Zhernovski ishte kryetari i parë i komunës që duhej të arsyetohet se i ishin “duart e lidhura” dhe se nuk mund të ndërpresë zgjerimin e projektit “Shkupi 2014”, edhe pse gjatë fushatës e sulmonte atë projekt. Tani ka shumë kryetarë të komunave që janë në atë gjendje. Sasha Bogdanoviq, Stefan Bogoev, Filip Temellkovski, Zllatko Marin, të gjithë këta në fushatë patën premtuar revizion të planeve të detajuara urbanistike, me qëllim që të ndërpritet ekspansioni ndërtimor në sipërfaqet urbanistike, ndërsa një pjesë e ndërtimeve të ulen ose të fshihen.
“Ne bëjmë revidimin e planeve, por kjo nuk do të thotë se mund t’i ndërrojmë. Vetëm mund të kontrollojmë nëse janë bërë sipas ligjit dhe nëse diku ka shkelje, të intervenojmë”, thotë për BIRN kryetari i komunës së Aerodromit, Zllatko Marin.
RREGULLI NGA VITI 2015: “NUK KA KTHIM PRAPA”
“Litari” që ua lidhë duart autoriteteve lokale dhe i ndalon ata që të përmbushin zotimet e tyre për luftën kundër ekspansionit ndërtimor është Rregullorja për standarde dhe normativa në planifikimin hapësinor, i sjellë në vitin 2015 nga ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski. Një prej dispozitave të tij është se kur me një plan urbanistik do të përcaktohen dimensionet e një ndërtimi ose shënimi ndërtimor, me planet e ardhshme ato nuk mund të ulen, por vetëm të mbeten të njëjta ose të rriten. Qeveria po përgatitë ndryshime të mëdha në ligjet të cilat rregullojnë ndërtimin, por nuk dihet se kur do të jenë gati. Nga komuna e Karposhit po presin të ndryshojë edhe ky rregull dhe pastaj të mund të intervenojnë në PDU-të ekzistuese.
“Në ndërkohë po presim përgjigje nga Gjykata kushtetuese në lidhje me katër planet urbanistike. Janë parashtruar iniciativa nga qytetarët dhe kjo do të na japë pak kohë. Pasi të ndryshojë ky rregull, jemi seriozisht të vendosur që të veprojmë në drejtim të humanizimit të hapësirës së banimit, ndërsa ajo do të thotë edhe zvogëlim të sipërfaqeve për ndërtim dhe të lartësive”, thotë Vlladimir Kirovski, këshilltar për urbanizëm i kryetarit të komunës së Karposhit, Stefan Bogoev.
Edhe kryetari i komunës së Qendrës, Sasha Bogdanoviq ka ambicie të ngjashme. Komuna ka shpallur moratorium për ndërtim me qëllim që të kontrollojë PDU-të. Bogdanoviq në intervistën për BIRN ka paralajmëruar se do të kontrollojnë edhe lejet e ndërtimit që ende nuk janë realizuar, në mënyrë që të ndërpritet uzurpimi i mëtutjeshëm i hapësirës publike. Revizion i planeve të sjella pesë vitet e fundit po bëhet edhe në Kisella Vodë. Tani për tani prej askund nuk ka informacione se çfarë ndryshime planifikohen që të ndërpritet gufatja e qytetit në beton, siç ishte premtuar para zgjedhjeve.
Megjithatë, kontrollohet vetëm nëse procedurat për miratimin e planeve ishin në rregull dhe nëse kanë kaluar të gjitha hapat e caktuara ligjore. Kur bëhet fjalë për përmbajtjen e tyre, gjegjësisht për numrin e ndërtesave dhe dimensionet e tyre, këtu vlen rregullorja sipas të cilës për çdo gjë që është vizatuar deri tani, nuk ka kthim prapa. Përfaqësuesit e komunës së Aerodromit janë skeptikë se do të kishin mundur në mënyrë ligjore të fshihen shënimet ndërtimore, edhe në qoftë se hiqen këto dispozita nga rregullorja, sepse, siç thonë, të drejtat janë garantuar edhe me Kushtetutë, ndërsa dispozitat e reja eventuale nuk do të vlenin në mënyrë retroaktive. Nga Ministria e transportit dhe lidhjeve na deklaruan se nuk planifikohet ndonjë ndryshim i shpejtë i këtyre rregullave.
INTERESI PUBLIK NËSE AI PRIVAT NUK CENOHET
Sipas Kiroskit, i cili është arkitekt me profesion, Karposhi gjatë viteve të kaluara ka qenë viktimë e të ashtuquajturës urbanizim i targetuar planor. Planore, sepse ekspansioni ndërtimor ka qenë i rregulluar në mënyrë përkatëse me plane të detajuara urbanistike, por e targetuar, sepse qëllimi i atyre planeve kanë qenë interesat e ngushta të biznesit përkundër interesit të përbashkët të qytetarëve.
Por, interesat e ngushta nuk lidhen vetëm me firmat më të mëdha ndërtimore prej të cilave secila ka bërë dhjetra ndërtesa të reja në Shkup gjatë viteve të kaluara. Këtu merren edhe kërkesat e banorëve lokal, posaçërisht në lagjet që përjetojnë transformime të mëdha, siç është Taftalixhe në Karposh, Maxhir Maalo në Qendër dhe Aerodromi i vjetër në komunën e Aerodromit. “Qytetarët ndryshe sillen kur ndonjë PDU i tangon ata personalisht ose jo. Në njërin rast mund të revoltohen kundër ndërtimit të tepruar, ndërsa në tjetrin të kërkojnë dimensione më të mëdha që të mund të fitojnë më shumë nga prona e tyre”, thotë Kiroski.
Shënime ndërtimore ka edhe në truallin shtetëror që tani është gjelbërim ose ndonjë hapësirë tjetër publike, si për shembull parku para Pishinës Olimpike, ku është paraparë ndërtimi i një hoteli, ose pjesë të Karposhit përreth bulevardit Ilinden. Kiroski konsideron se madje edhe në raste të tilla u janë kufizuar mundësitë që të intervenojnë, sepse është e mundur që trualli të jetë në procedurë të denacionalizimit, ose nga ana tjetër një pjesë e vogël e shënimit të jetë në pronësi private, dhe këtu më ka interes privat dhe të drejta që nuk mund të shkelen.
KOMUNAVE U KONVENON TË NDËRTOHET
Megjithatë, edhe po të ndërrohen ligjet, dhe komunat fuqishëm të vendosin se nuk do të bijen pre e presioneve të investitorëve, do t’u mbetet problemi i tretë. Nëse nuk ndërtohet asgjë, nuk do të kenë para. Mbi 50 për qind e buxhetit të përgjithshëm të komunës së Karposhit për këtë vit planifikohet të grumbullohet nga kompensimet për rregullim të truallit ndërtimor, pagesat që në popull quhet komunalet. “Duhet të gjenden mënyra të ndryshme të financimit për komunat, sepse kjo e tashmja nxitë ndërtimin e vazhdueshëm, që është e paqëndrueshme, sepse hapësira është burim i kufizuar”, thotë Kiroski.
Aerodromi gjithashtu është komunë e varur nga ndërtimi. Nëse merret vetëm buxheti fillestar i komunës, pa bllok-donacionet që shteti i jep për arsimin, atëherë dy të tretat e tij duhet të plotësohen nga komunalet. Mjetet e planifikuara nga komunalet në nivel vjetor është janë thuajse 400 milionë denarë, ndërsa në tre muajt e parë të vitit janë mbledhur mbi 77 milionë.
“Këtë vit furnizohemi me dru për tetë milion denarë, dru të rritur prej tre-katër metra, që të mbjellim në komunë. Vitin që vjen planifikojmë ta ndajmë atë shumë. Si do t’i paguajmë nëse askush nuk ndërton ndonjë gjë dhe nuk paguan komunale? Unë e di se hapësira është e kufizuar dhe se një ditë do të harxhohet. Ndoshta jo në këtë mandat, por për pesëmbëdhjetë vjet. Prandaj shteti duhet t’ia mendojë se si do të financojë komunat në të ardhmen, pavarësisht se atëherë ata do të kenë shpenzime më të vogla”, shpjegon Marin. Ai planifikon ta zhvillojë komunën si vend për banim, por PDU të reja planifikon për pjesët që tani janë të paurbanizuara dhe për ato thotë se do të ndërtohen me standarde më të larta, me më shumë hapësirë mes objekteve dhe gjelbërim.
Në programin e vet Qeveria parasheh shkallë të lartë të decentralizimit dhe politikë të rritjes së kapaciteteve të komunës, me transferimin e kompetencave të reja dhe me më shumë para për ato. Tani për tani këto përpjekje janë të përgjithshme dhe nuk shihet fundi i varësisë së komunave nga ndërtimi i vazhdueshëm. (prizma.mk)