Shkup, 20 dhjetor – Sot deputetja e Partisë Demokratike Shqiptare, Merale Uzeiri Ferati para komisionit parlamentar prezantoi propozim ligjin e PDSH-së për zyrtarizmin e gjuhës shqipe:
“Si deputete dhe si përfaqësuese e Partisë Demokratike Shqiptare kemi propozuar projekt ligjin për realizimin e barazisë të gjuhëve dhe shkrimeve zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Ne si Parti Demokratike Shqiptare mendojmë se projekt – ligji për përdorimin e gjuhëve nga ana e qeverisë që është në procedurë parlamentare nuk është i mjaftueshëm dhe i plotë për sa i përket zyrtarizmit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.
Një gjë është e vërtetë – avancimi nuk do të thotë se është zyrtarizmi. Zyrtarizmi është krejt diçka tjetër që nënkupton nivel të barabartë të përdorimit të gjuhës së një kombi në të gjitha instancat shtetërore, si në të folurit ashtu edhe në të shkrimin e saj.
Këtë formë të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni projekt ligji i propozuar nga ana e qeverisë nuk e ka, por ai parashikon një përdorim të avancuar të saj.
Padyshim ne i dhamë përkrahje këtij varianti në leximin e parë, por në të njëjtën kohë vlerësojmë se nuk është i mjaftueshëm dhe nuk bëhet zyrtarizmin i gjuhës shqipe.
Zyrtarizmi nuk bëhet i pjesërishëm, apo gjysmë zyrtarizmin, ose një çerek zyrtarizmi – Zyrtarizmi o bëhet o nuk bëhet.
Gjuha dhe shkrimi i saj janë një ndër komponentët themelore të një kombi dhe kjo nuk është vetëm për shqiptarët por për të gjithë. Prandaj edhe përdorimi i saj si në të folur ashtu edhe në të shkruarin e saj zënë vend të veçantë në konventa të ndryshme ndërkombëtare ku tërhiqet vërejta dhe sanksionohet çdokush që tenton të diskriminojë në këtë segment.
Kemi shembuj të shumtë se si është rregulluar kjo çështje në shumë vend të botës. Shumë shtete kanë dy e më shumë gjuhë zyrtare dhe kjo jo që nuk është pengesë për ta, por përkundrazi paraqet një faktor të rëndësishëm në thellimin e demokracisë dhe përparimin e këtyre shteteve. Kemi shembullin e Kanadasë, Belgjikës dhe shumë vendeve tjera ku përdorimi i gjuhëve zyrtare pasqyron realitetet në ato shtete dhe sigurisht pajtoheni të gjithë se ajo paraqet pasuri dhe mundëson zhvillimin e mëtutjeshëm në të gjitha aspektet të këtyre shteteve. Prandaj propozimi i Partisë Demokratike Shqiptare i ligjit për zyrtarizmin e gjuhës shqipe i tejkalon përmasat tona të ngushta partiake. Nuk mund të rrinë indiferent qofshin ato profesor në universitete apo mjek, mësues e punëtorë të thjeshtë, studentë apo policë të gjithë, e aq më tepër ju deputetë të partive të ndryshme, jo vetëm shqiptar por edhe maqedonase.
Zyrtarizmi i gjuhës shqipe në të folurit dhe shkrimi i saj do të mundësonte demokratizim të shoqërisë që padyshim do të ishte një hap i madh drejt inkuadrimit të këtij shteti në Bashkimin Evropian dhe instance të tjera strategjike botërore ku kultivohet toleranca dhe barabarësia.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni nuk cenon përdorimin e gjuhës maqedonase dhe as nuk rrezikohet Maqedonia, sepse nga përdorimi i më shumë se një gjuhë zyrtare nuk rrezikon Kanadanë, nuk rrezikon Belgjikën, Zvicrën apo nëse doni edhe Kosovën, ku sa për ilustrim në Kosovë serbët nuk janë më shumë se 5 % e në anën tjetër gjuha serbe përdoret në të gjitha instancat shtetërore.
Për fund, besoj se do të ketë gatishmëri nga ana e të gjithë deputetëve që me miratimin e këtij propozim ligji për zyrtarizmi e gjuhës shqipe propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare do të mundësohet që ky shtet të bëj një hap përpara në kultivimin e demokracisë dhe një kohsisht do të përmbyllim një problem madhor, pasi që nga kjo e drejtë shqiptarët asnjëherë nuk do të heqin dorë”. (nga komunikata e PDSH-së)