PDSH-ja akuzon se Ministria e Kulturës favorizon projekte dhe punësime

5

Tetovë, 25 shkurt – Nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) sot në konferencë për medie akuzuan se Ministria e Kulturës është bastion i ri i punësimeve me kontrata për militantët partiakë të partisë së ministrit.

Sipas PDSH-së, nuk ka të punësuar në sektorë adekuatë në bazë të sistematizimit proporcional në plan vertikal dhe horizontal.

“Në këtë institucion është shkaktuar kaos i vërtetë nga ata të cilët kanë lidhur kontrata në vepër, ndërsa të cilët tani përballen me pasigurinë për të ardhmen e tyre pas zgjedhjeve të cilat do të mbahen më 12 prill”, theksoi Sadije Iljazi, kryetare e komisionit të PDSH-së për kulturë, përcjell KOHA.

Nga partia vlerësojnë se publikimi i rezultateve nga konkursi vjetor për financimin e projekteve me interes kombëtar për vitin 2020 len hapësirë për dyshime se gjatë shpërndarjes së mjeteve kishte manipulime përmes favorizimit të projekteve.

“Ata propozues kanë lidhje me partinë ose me bashkëpunëtorët e kabinetit të ministrit. Kjo është e qartë duke i krahasuar mjetet enorme financiare të dedikuara për shoqata ose aktivitete të këtyre propozuesve me mjetet e dedikuara për projektet e propozuesve të tjerë në sferat e njëjta të veprimtarisë. Bie në sy favorizimi i artistëve të cilët janë të njohur vetëm në territorin e shtetit ose edhe jo aq, në krahasim me artistët e njohur edhe në arenën ndërkombëtare”, theksoi Iljazi.

Ajo potencoi se programi kombëtar për Kulturë, si dokument integral, duhet t’i respektojë dhe t’i zbatojë parimet kushtetuese për liri në krijimtari dhe për barazi të mundësive në kuadër të kulturës, për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht për të gjitha bashkësitë etnike dhe njëkohësisht të mundësojë decentralizim të sistemit dhe riorganizim real të sistemit institucional dhe të administratës. (koha.mk)

Comments are closed.