PDK rrezikohet në Drenas, bastionin e Thaçit

Ramiz Lladrovci nuk arriti të dielën të sigurojë fitore pa balotazh për kryetar të Komunës së Drenasit në bastionin e PDK-së. Për herë të parë kandidati i kësaj të fundit do të detyrohet që edhe në rundin e dytë të zgjedhjeve të garojë me Isa Xhemajlajn e “Nismës për Kosovën” Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, nuk ka arritur që në rundin e parë të dielën të zgjidhet kryetar i Drenasit, me ç’rast do të detyrohet të shkojë në balotazh me kandidatin e “Nismës për Kosovën”, Isa Xhemajlaj. Kjo është hera e parë që nga paslufta që zgjedhja e kryetarit të Drenasit do të përcaktohet në rundin e dytë të zgjedhjeve, pasi që PDK-ja në vazhdimësi kishte siguruar fitore bindëse pa u detyruar të shkojë në balotazh, shkruan gazeta “Zeri”. Derisa në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 kandidati i PDK-së, ish-kryetari Nexhat Demaku, kishte fituar rreth 64 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës Lladrovci ka fituar rreth 45 për qind të votave apo 19 për qind më pak se në zgjedhjet paraprake. I dyti me më së shumti vota në garën për kryetar të Drenasit është Isa Xhemajlaj, i “Nismës për Kosovën” me 26,56 për qind të votave, i cili me gjasë në fillim të janarit 2017 do t’i “masë forcat” edhe një herë me Lladrovcin. Jo pak vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kreun e Drenasit ka marrë kandidati i pavarur Xhavit Drenori, i cili është radhitur i treti në garë me 12.32 për qind të votave, ndërsa kandidati i AKR-së, Elmi Thaçi, ka marrë 7.54 për qind të votave.