(Pa)zotësia ka qenë hendeku në të cilin kanë rënë të gjitha politikat kadrovike të partive tona. Urojmë që në të ardhmen të mos jetë kështu
Nga Emin AZEMI
Cilësia e një qeverisjeje varet nga shumë faktorë, por më i rëndësishmi është ai njerëzor. Njeriu është çelësi i të gjitha mrekullive, kurse politikanët jo rrallë dinë ta anashkalojnë këtë mrekulli. Pas paralajmërimeve se në fillim të qershorit do të kemi një kabinet të ri qeverisës, shtohen shpresat se, megjithatë, politika nxjerr mësim nga vërejtjet që i jepen asaj, sidomos në planin e resurseve njerëzore. Jo gjithmonë zgjidhjet kadrovike janë në koherencë me programin qeverisës të atij që udhëheq, por ka kohë të mjaftueshme brenda mandatit që gjërat të korrigjohen. Në anën tjetër, a mund të korrigjojmë diçka nëse paraprakisht nuk i dimë problemet, arsyet e ngecjeve të caktuara, dhe mbi të gjitha – nëse nuk merremi pak më shtruar me bilancin e (mos)suksesit të çdonjërit anëtar të kabinetit qeveritar. Është koha e fundit që përzgjedhja e kandidatëve për të udhëhequr dikastere të caktuar qeverisës të bëhet mbi do kritere pak më ndryshe, ko si deri më tani. Praktika ka dëshmuar se zgjidhjet kadrovike në të kaluarën kanë qenë më tepër përmbushje e nevojave të brendshme partiake për të kënaqur kriteret e krahinarizmit, dhe më pak përmbushje e standardeve profesionale, etike e intelektuale të njerëzve.
Ish kancelari Helmut Koh në kujtimet e tij, ndër të tjera, ka treguar edhe një detaj nga përvoja e tij sa ishte në krye të Qeverisë gjermane. Ai teksa po shikonte, bashkë me gruan e tij, në televizion lajmet e mbrëmjes pas mbledhjes konsitutive të kabinetit qeverisës, i drejtohet gruas me këto fjalë: “Në këtë moment shumë gjermanë po ma shajnë nënën, se pse nuk e kam zgjedhur ministër, mirëpo kabineti im zë më pak vende se sa dëshirat e gjithë atyre që duan të bëhen ministër”.
Te ne situata është pak më ndryshe. Kryetarit të Qeverisë apo liderit të partisë i shahet nëna se pse pikërisht filani apo fisteku është bërë ministër, në kohën kur ka një galeri më të gjerë figurash me kapacitete më të avancuara në fusha të caktuara. Shanset për të dalë i pa sharë te ne janë minimale, madje edhe sikur të bënim punë ideale, por mjafton një përqendrim minimal në paracaktimin e disa kritereve që do të jenë afatgjate për çdo njërin që ka ambicie për t’u marrë me “punë hyqymeti”.
Tingëllon paksa paradoksale, por është e vërtetë se konkurset që shpallen nëpër gazeta kanë kritere shumë më të ashpra për zgjedhjen e drejtuesve eventual të institucioneve publike, se sa kabinetet qeverisëse, ku kriteret kanë qenë më tepër të natyrës së simpative dhe përkatësive klanore-krahinore. Këto kritere, madje kanë mjaftuar të nxjerrin kuadro (në disa raste) që si nus-produkt (para)shkollor kanë pasur paaftësinë për të mos dalluar misionin e një njeriu të ngarkuar me detyra të rëndësishme nga një i punësuar i thjeshtë i cili në fund të muajit e pyet sekretareshën se kur jepen rrogat(!).
Ne jemi një shoqëri e vogël dhe njihemi gati të gjithë. Duke qenë kështu nuk është edhe vështirë të dihet se cili është më i vlefshmi për të qenë një drejtues dinjitoz brenda kabinetit qeverisës. Intimisht, çdo njëri nga ne e di se kush është më i zoti se ne, por asnjëri nga ne këtë nuk e thotë zëshëm, ndërkohë që edhe ata që PËR NE vendosin nisen prej një seleksionimi të çuditshëm negativ. Edhe ATA e dinë se kush është më i pazoti se ATA dhe ky është kriteri që ATA zakonisht e kanë përdorur deri më tani.
(Pa)zotësia ka qenë hendeku në të cilin kanë rënë të gjitha politikat kadrovike të partive tona. Urojmë që në të ardhmen të mos jetë kështu. (koha.mk)