Athinë, 29 janar – Vendi fqinj të bëjë ndryshime të cilat nuk lënë hapësirë për irredentizëm në emrin por edhe ndryshime në Kushtetutën që të hapet rruga drejt NATO-s dhe BE-së, porositi presidenti grek, Prokopis Pavlopulos gjatë takimit me presidentin e Izraelit, Reuven Rivlin i cili është për vizitë zyrtare dyditore në Greqi.
Pavlopulos e njoftoi kolegun e tij izraelit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, për pozitat e Greqisë në të a.q. çështje kombëtare greke: problemin qipriot, marrëdhëniet me Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Lidhur me Maqedoninë, tha se Athina e mbështet perspektivën evropiane, por edhe integrimin në NATO, por “për këtë parakusht është përdorimi i emrit i cili nuk lë irredentizëm, pasi që irredentizmi është në kundërshtim jo vetëm me të drejtën ndërkombëtare por edhe me legjislaturën evropiane”.
“Nëse ky vend dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duhet t’i sjellë të gjitha ato ndryshime të cilat nuk lënë kurrfarë hapësire për irredentizëm në emrin e saj. Kur themi ndryshime, mendojmë kryesisht në ndryshimet të cilat kanë të bëjnë me rendin e saj juridik, Kushtetutën e saj. Kur t’i sjellë këto ndryshime, atëherë hapet rruga drejt BE-së dhe drejt NATO-s. Por, kur nuk ekzistojnë hapa të tillë praktik, por ekzistojnë shenja të irredentizmit për të cilin insiston vendi fqinj, atëherë, këtë e potencoj, për shkak të së drejtës ndërkombëtare dhe legjislaturës evropiane, është e pamundur të pranohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha presidenti grek në fillim të takimit me homologun e tij izraelit.
Kjo deklaratë e Prokopis Pavlopulos, vjen vetëm një ditë para bisedimeve që ndërmjetësi Methju Nimic do t’i ketë në Athinë.