Deputeti Pavle Bogoevski dha dorëheqje pas skandalit me incizimin e publikuar nga biseda telefonike. Përkundër pohimit se Bogoevski ka porositur kokainë, ai ka pohuar se ka porositur vaj kanabisi për një mikun e tij të afërm, i cili është i sëmurë.
“Opinion i nderuar, vota për marrjen e mandatit do të jetë vota ime e fundit në këtë Kuvend. Këtë vendim e kam marrë kur u paraqita në polici. Nuk do të kisha dashur që funksioni im i deputetit të ndikojë tek organet e drejtësisë që do të hetojnë këtë rast”, është shprehur Bogoevski. Ai sot kumtoi se dorëheqja do të futet në fuqi pas votimit në seancën plenare për mandatin e Nikolla Gruevskit.