Këtë të mërkurë ndërroi jetë miku i madh i Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan.
Ndonëse ndërroi jetë sot, ai la pas vetes një veprimtari të gjerë diplomatike dhe për të ditur gjithë përkrahjen ndaj Kosovës, mjafton ta kujtosh këtë deklaratë të tij.
”Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, pati thënë ai në kohën kur po hartohej plani për shtetësinë e vendit, njofton Klan Kosova, përcjellë KOHA.
Por, kush ishte Albert Rohan?
Ai lindi në qytetin Melk në vitin 1936 dhe vjen nga një familje e vjetër franceze. Rohan kishte studiuar për drejtësi në Vjenë dhe Belgjikë.
Diplomacisë ai i hyrë më 1963, ndërkohë që kishte punuar për ambasadat në Beograd dhe në Londër. Albert Rohan për shumë arsye njihej si mik i madh i Kosovës.
Ai shërbeu si zëvendës i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për negociatat për statusin e Kosovës.
Rohan kishte dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm edhe në negociatat e përfaqësuesit special të OKB-së, Marti Ahtisaari për statusin e Kosovës.
Më vonë, si rezultat i këtyre negociatave, do të hartohej plani për Kosovën i njohur si plani i Ahtisarit.
”Pavarësia e Kosovës është bërë fakt i pakthyeshëm, edhe nëse Serbia, Rusia dhe disa vende të tjera vazhdojnë të mohojnë këtë realitet”, pati thënë Albert Rohan.
Diplomati austriak takohej shpesh edhe me liderët e Kosovës.
Në një fotografi publikuar nga presidenti i Kosovës, asokohe kryeministër, Hashim Thaçi, Albert Rohan shihej teksa bartte në duar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Diplomati austriak Albert Rohan do të cilësohet si përkrahës i madh i sovranitetit të Kosovës edhe nga liderët e tjerë të vendit.
”Gjithmonë kënaqësi të takoj miq të vjetër dhe po ashtu përkrahës të madh të pavarësisë së Kosovës”, shkroi Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli teksa kishte ndarë fotografi me mikun e madh të Kosovës që sot iu dha lamtumira.
Po ashtu ai njihej si person i cili liderët e Kosovës nuk i dallonte nga përkatësia fetare.
Shumë më herët se sa të hartohej plani i Ahtisarit, Rohan ishte takuar me ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.
Takimi Rugova – Rohan do të ndodhte në vitin 1998 në Prishtinë, teksa dy liderët do të shiheshin shumë të afërt me njëri tjetrin. (koha.mk)