Omer XHAFERI
Shkup, 12 qershor – Mjetet buxhetore të ndara nga arka e shtetit për vitin 2016, nuk i kanë mjaftuar pushtetit gjyqësor për funksionimin efikas të gjykatave. Ky konstatim është përfshirë në raportin fundit të Këshillit të Buxhetit Gjyqësor (KBGJ), sipas të cilit, ndarja e mjeteve të duhura buxhetore është me rëndësi të veçantë për mbulimin e aktiviteteve dhe furnizimeve publike, shkruan gazeta KOHA. Për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, pushteti gjyqësor – siç thuhet në Raportin e punës, KBGJ gjatë vitit 2016 është përballur me pamundësi për t’i përmbushur disa obligimi të përcaktuara me ligj. Ndërrimi i pajisjeve kompjuterike, i cili duhet të bëhet komfort amortizimit të këtyre veglave, avancimi i programeve softuerike, aktivitete që duhet të ndërmerren për sigurimin e të dhënave personal vis a vi Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, e kështu me radhë, kanë qenë sferat në të cilët pushteti gjyqësor gjatë vitit që lamë pas nuk ka arritur t’i realizojë ndryshimet e duhura. “Njëkohësisht, për shkak të mungesës së këtyre mjeteve, vitin e kaluar nuk janë realizuar kontrollet sistematike ndaj të punësuarve në pushtetin gjyqësor (përveç atyre që punojnë në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë). Po ashtu, policia gjyqësore nuk ka arritur të furnizohet me pajiset dhe armët e nevojshëm pikërisht për shkak se nuk janë siguruar mjetet e duhura. Sistemet e ndryshme të instalimit që janë të vendosur në ndërtesat e gjykatave të ndryshme vitin e kaluar nuk i janë nënshtruar mirëmbajtjeve të rregullta, gjegjësisht këto aktivitete janë ndërmarrë vetëm në ndërtesën e Këshillit Gjyqësor, Gjykatës Supreme, Akademisë për gjykatës dhe prokurorë si dhe në katër ndërtesat e Gjykatave të Apelit”, përcjell KOHA Raportin vjetor të KBGJ-së. Zbatimi në esencë i Ligjit për buxhetin gjyqësor, sipas KBGJ-së, në radhë të parë nga aspekti i përcaktimit të buxhetit gjyqësor si përqindje e BPV-së, do të krijojë një pushtet gjyqësor të pavarur dhe sovran i cili pa pengesë do t’i realizojë kompetencat ligjore. Duke ju referuar problemeve dhe sfidave me të cilat përballet pushtetit gjyqësor, në këtë raport mes tjerash thuhet se, gjatë vitit të kaluar – gjykatat shpesh herë i kanë ridedikuar mjetet e dedikuara nga buxheti me qëllim rritjen e efikasitetit të punës së tyre. Struktura e vjetër dhe kuadri i papërshtatshëm edhe më tej mbetet njëri prej problemeve kryesore të pushtetit gjyqësor. Me rëndësi të veçantë, siç thuhet në Raportin e KBGJ-së, është se të punësuarit e kategorive të njëjta, nëpër gjykata të ndryshme janë të ngarkuar në mënyrë të pabarabartë. Në këtë drejtim, nga ky Këshill potencojnë se gjykatat brenda vitit 2016 janë ballafaquar me probleme gjatë implementimit të Ligjit për shërbimin gjyqësor dhe Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, me çka u imponua nevoja për harmonizimin e këtyre dy ligjeve. Deri te Ministria e Financave gjatë vitit që e lamë pas gjykatat shpeshherë kanë parashtruar kërkesë për avancimin e të punësuarve në pozita më të lartë në hierarkinë e pushtetit gjyqësor, megjithatë nga ky dikaster qeveritar përgjigjet çdo herë kanë qenë negative. “Varshmëria e pushtetit gjyqësor nga donacionet e huaja, nga aspekti i furnizimit me pajisje të reja kompjuterike dhe avancimin të sistemeve softuerike, ishte evident edhe gjatë vitit 2016-të. Një pjesë bukur e mirë e ndërtesave të gjykatave kanë nevojë për renovim. Kur jemi te kjo pikë, vlerësojmë se e domosdoshme është renovimi i fasadës së Gjykatës Supreme të Maqedonisë, asaj të Apelit në Shkupit, Gjykatës Civile që funksionon në kryeqytet, dhe kështu me radhë. Vitin e kaluar, përkundër nevojës në buxhetin gjyqësor – nuk u siguruar mjete për ndërrimin e dritareve të Gjykatës Civile në Shkup, të cilët u dëmtuan në një protestë. Rikonstruimi i kulmeve të më shumë gjykatave po ashtu është nevojë që duhet të përmbushet, për arsye se ato janë në një gjendje të mjerueshme. Numri i madh i lëndëve dhe hapësira e ngushtë me të cilën disponojnë gjykatat, e ka bërë të patjetërsueshme krijimin e një hapësirë arkivore të veçantë. Gjykata e lartë administrative, Gjykata Administrative dhe Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve është më tutje janë në pritje të hapësirave komode për punë. Pavarësisht paralajmërimeve, Gjykata Penale e Shkupit, edhe në vitin 2016 nuk është transferuar në ndërtesën e re të kësaj gjykate”, thonë nga KBGJ-ja. Ndryshe, në këtë raport nënvizohet se ky Këshill në dispozicion ka vetura të vjetra deri në 20 vjet dhe për këtë arsye – ato e shohin të nevojshme që me buxhetin e ri të parashihet rinovimi i parkut vozitës dhe ndarje e mjeteve më të mëdha buxhetore për harxhimet e derivateve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara