“Zakonisht në këtë periudhë përdoret druri për ngrohje nga i cili formohet shtresë e trashë dhe e njëjta krijon temperaturë të lartë që shkakton zjarri. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë zjarre të këtilla, por në të njëjtat është intervenuar në kohë dhe nuk ka pasur rreziqe më të mëdha. Temperatura në oxhaqet e pa pastruara arrin derri 800 gradë dhe mund të imagjinoni se çfarë temperature është kjo…”, thotë Uka Aliti
Urim HASIPI
Tetovë, 10 tetor – Komandanti i Njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë, Uka Aliti, apelon deri tek qytetarët e rrethit të Tetovës që të pastrojnë oxhaqet në shtëpitë e tyre, pasi mospastrimi i tyre mund të shkaktojë shpërthim të zjarrit i cili mund të jetë edhe fatale. Nga kjo njësi theksojnë se zjarret përsëriten në banesat ku me herët ka pasur zjarre, shkruan gazeta KOHA.
“Pastrimi i oxhakut nuk duhet të bëhet sepse ne apelojmë apo kërkojmë, por duhet që të bëhet sepse vetë qytetarët do të jenë më të sigurt dhe nuk do të vie deri tek shpërthimi i zjarrit. Po ashtu, një dukuri tjetër është se këto zjarre shpërthejnë edhe në ndërtesa kolektive në Tetovë. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 30 raste të ndezjes së oxhaqeve dhe ajo që është më e keqja – shumica e zjarreve janë në ndërtesat ku kemi pasur zjarre edhe vite më parë. Kjo ndodhë për shkak se të gjithë banorët në të njëjtën ndërtesë nuk i shfrytëzojnë oxhaqet dhe kjo bën që të mos kenë interesim të gjithë për pastrimin e tyre. Në shumë ndërtesa kemi ngjitur edhe pamflete ku bëjmë apele për pastrimin e oxhaqeve në bashkëpunim me Komunën e Tetovës”, thonë nga njësia e zjarrfikësve.
Kreu i Brigadës së zjarrfikësve, Uka Aliti, thekson se mospastrimi i tyre paraqet rrezik potencial për shpërthim të zjarreve.
“Zakonisht në këtë periudhë përdoret druri për ngrohje nga i cili formohet shtresë e trashë dhe e njëjta krijon temperaturë të lartë që shkakton zjarri. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë zjarre të këtilla, por në të njëjtat është intervenuar në kohë dhe nuk ka pasur rreziqe më të mëdha. Temperatura në oxhaqet e pa pastruara arrin derri 800 gradë dhe mund të imagjinoni se çfarë temperature është kjo. Në rastet kur shpërthen zjarri, duhet që të mbyllet kapaku i tyre dhe të mos hidhet ujë ngase vjen deri tek shpërthimi i oxhakut”, thotë Aliti.
Sipas tij, qytetarët tashmë duhet të kenë të pastruar oxhaqet, sepse në këtë kohë shumica e zjarreve vijnë si pasojë e mospastrimit të tyre.
Kreu i zjarrfikësve në Tetovë më tej thotë se problem kohëve të fundit janë edhe ndërtesat shumëkatëshe. “Ajo që është më brengosëse janë objektet shumëkatëshe, apo objektet kolektive-ndërtesa që janë në qytetin e Tetovës. Apelojmë të ndërmarrin masa në drejtim të pastrimit të oxhaqeve për arsye se në këto raste hasim në shumë probleme kur intervenojmë pasi objektet janë të larta mbi dhjetë kate dhe qytetarët tanë përdorin drunjë, mirëpo oxhaqet gjithsesi apelohet që të pastrohen, pasi edhe me ligj qytetarët obligohen që oxhaqet e tyre ti pastrojnë dy herë në vit. Uroj që këtë dimër ta kalojmë pa paraqitje të zjarreve, meqë tashmë dihet se zjarret lënë pasoja nga më të ndryshmet, andaj duam që qytetarët tanë të jenë të sigurt dhe të mbrojtur”, apelon Aliti.
Po ashtu, edhe Policia e Tetovës konfirmon se shpeshherë zjarret shkaktohen nga oxhaqet e dëmtuara apo të pa pastruara.
“Për shkak të kësaj, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri tek qytetarët që në kohë të pastrojnë oxhaqet para fillimit të sezonit dimëror, por edhe gjatë gjithë kohës të kontrollohet gjendja e tyre, ngase mjafton një shkëndijë kurse pasojat janë të paparashikueshme”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga ana tjetër pastruesit e oxhaqeve disa herë kanë kërkuar që ata të veprojnë në kuadër të Komunës së Tetovës, ndërsa pastrimi i oxhaqeve të jetë i obligueshëm, por deri më tash nuk ka përgjigje reciproke rreth kësaj ideje. (koha.mk)