Emin AZEMI
Neve shqiptarëve na mungon një shkencë që do të merrej ekskluzivisht me studimin e pasojave të patriotizmit të tepruar te njerëzit me aftësi të përqendruara në çështje e tema të caktuara. Ka të ngjarë që në shumë raste ky lloj patriotizmi ka qenë karta dhe arsyeja kryesore e shumë aparatçikëve të politikës të kenë hequr dorë nga insistimi për të çuar një projekt a ide zhvillimore deri në fund. Jo gjithkush e kupton këtë filozofi veprimi të kësaj kategorie njerëzish, mirëpo është shumë e vërtetë se në kartën e patriotizmit thirret turli horri, paçka se ata tinëz dhe larg syve të opinionit publik bëjnë dallavere me tonelata.
Nuk do të hynim ta analizojmë produktin final të kësaj dallavere, sepse gjithkush mund ta merr me mend, por ajo që mbetet interesante për ta zbërthyer shkenca e patriotologjisë do të ishte përmasa e mistershme e profilimit psikologjik të një aparatçiku i cili e merr peng interesin e kombit të tij dhe e tregton në pazarin e lirë të plaçkurinave idiotike të interesave meskine.
Çka na mbetet neve të shkretëve që nuk jemi patriot?
Ose të pajtohemi me shkëlqimin kinez të ambalazhës së tij të lirë, që na e shet si angazhim madhor, ose të provojmë ta kundërshtojmë, duke hedhur ndonjë argument të vetmuar në shkretëtirën e madhe të konformizmit publik. Gjithë ata që kanë provuar të rreshtohen te ky grupimi i dytë, ose janë ekskomunikuar nga mediat e afërta me shpikësit e patriotizmit tonë vulgar, ose kanë provuar mbi kurrizin e tyre forma të ndryshme diskriminimi e padrejtësie.
Ne jemi ende shoqëri tribale që i bindemi argumentit të forcës e jo forcës së argumentit. Sa e sa veteran arsimi janë shuar pa iu dhënë vendi i merituar në këtë sistem të çoroditur vlerash? Sa e sa pjesëtarë të heshtur të luftërave çlirimtare të shqiptarëve sot presin para ambasadave të huaja për t’u pajisur me një vizë punë në ndonjë shtet të huaj, sepse patriotizmi i tepruar sot është bërë licencë meritash, e fotokopjuar në ndonjë podrum, të cilin patriologjia mund ta quaj edhe laborator ku përcaktohet masa kinezo-partizane e vlerave dhe virtyteve të atyre që duhet të jenë dikund, në ndonjë vend, për ndonjë punë që asnjëherë s’do ta çoj deri në fund. Sot ka edhe shumë student që marrjen e diplomës nuk e quajnë ndonjë kurorëzim dijesh akademike, sa e konsiderojnë privilegj njohjen me ndonjë gjysëm analfabet të politikës, sepse kjo është bileta që i siguron hipjen në këtë tren të hutuar që bart turli vlera e turli merita, ku më pak të vlefshmit gjithsesi i ke në klasin e parë, me kolltukë të buta e me kabina të ngrohta dimrit e ajër të kondicionuar verës.
Gjuhësisht mund të mos jetë shumë i përshtatshëm ky term, por patriotologjia si sarkazëm dhe humor i zi edhe një kohë do të vazhdojë të na merr kohë, sepse çdo kungull që sot merr guximin të quhet patriot e rren mendja se brenda natës mund të bëhet shalqinj, aq më tepër që shartimi nuk është ndonjë praktikë e huaj e atyre që merren me klonimin e vlerave dhe me transformimini e biografive. (koha.mk)