Profesori nga Podujeva, Patriot Rudari, ka vazhduar me iniciativën e tij për të shpërndarë pemë falas për nevojtarët. Përveç në rrethojat e oborrit të tij, e shkollës ku jep mësim, sot ai ka dërguar molla edhe në Lagjen e Kuvajtit në Podujevë, ku banojnë familjet e dëshmorëve. Rudari i ka thënë Gazetës Express se deri tani i ka shpërndarë rreth 500 kilogramë mollë. Ai shton se e ka ndërmend t’i shpërndajë edhe 100 kg të tjerë, derisa thotë se mendon ta vazhdojë këtë traditë për çdo vit, shkruan Gazeta Express.
Rrethojat e shkollave, shtëpive e lagjeve ku banojnë familjet e dëshmorëve në Podujevë kanë marrë pamje interesante ditëve të fundit. Gjithë kjo falë iniciativës së profesorit nga Shajkovci i Podujevës, Patriot Rudari për të vendosur molla për nevojtarët.
Ideja e qytetarëve norvegjezë që frutat tepricë t’ua dhurojnë atyre që kanë nevojë po del t’i ketë bërë shumë përshtypje Rudarit. Ai me mëngjes ka vizituar Lagjen e Kuvajtit në Podujevë, ku banojnë familjet e dëshmorëve dhe ka vendosur pemët tepricë në rrethojat e kësaj lagjeje për t’u shërbyer familjet, dhe jo vetëm. Përveç në këtë lagje, ai sot ka vendosur qese me molla edhe në mal, që të shërbehen kalimtarët. Ai thotë se kjo u mirëprit nga bashkëfshatarët, gjersa mendon që të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në vitet e ardhshme.
Rudari i ka thënë Gazetës Express se deri tani ai ka shpërndarë 500 kilogramë mollë falas, derisa thotë se e ka ndërmend t’i shpërndaj edhe 100 kilogramë të tjerë.
Profesori nga Podujeva thotë se ai u inspirua nga ideja e qytetarëve norvegjezë që frutat tepricë t’i vënë në dispozicion për të gjitha ata që nuk i kanë. Menjëherë pas kësaj, ai vendosi që të vepronte njëjtë.“Para disa ditësh e pashë në rrjetet sociale në Norvegji e me pëlqeu shumë e bana edhe unë për herë të parë. Edhe viteve të tjera u kemi shpërnda gjithmonë miqësisë pemët që na kanë tepruar”, tregon Rudari.
E kjo iniciativë e tij thotë se u prit shumë mirë nga bashkëfshatarët. Madje, deklaron se po mendon që të vazhdojë të veprojë njëjtë edhe në vitet e tjera.
“Bashkëfshatarët e kanë prit shumë mirë këtë veprim. Edhe menjëherë ata që kanë nevojë për to, kanë fillu me i marrë. Deri tash i kanë marrë shtatë kese. Kam me vendosë edhe të tjera. Edhe po mendoj që me vazhdu edhe vitet e tjera, me ba si diçka tradicionale”, tha Rudari për Express. Këtë veprim të Rudarit e kanë duartrokitur qytetarë nga gjithë vendi, të cilët janë shprehur se është një shembull shumë i mirë për t’u ndjekur.