Alexandre Pato ishte një nga talentet më të mëdha të Milanit në vitet kur luajti me kuqezinjtë, por më pas dëmtimet e kushtëzuan brazilianin dhe karriera i mori për poshtë. 31-vjeçari në verë mbylli bashkëpunimin me Sao Paulo dhe doli lojtar i lirë. Ai ende nuk e ka gjetur ekipin e tij dhe në një intervistë për mediet italiane shprehet se ëndërron të kthehet te Milani.
“Milani është në zemrën time, ëndërroj të kthehem. Dëgjoj se në Itali mund të ketë klube të interesuara për mua, por unë dua të bëj të qartë se tani që jam 31 vjeç, nuk po kërkoj një kontratë për të shtuar llogarinë bankare, por për një projekt që më pëlqen. Po të kishte qenë për paratë, unë do të kisha qëndruar në Kinë. Trupi im është mirë, unë jam mirë dhe mendja është ndryshe nga më parë. Unë e di se çfarë mund të jap dhe çfarë duhet të bëj: vullneti është gjithçka dhe e kam atë”, ka thënë fillimisht Pato për La Gazzetta dello Sport.
“Shoh Evropën në të ardhmen time, veçanërisht Italinë. Në Serie A mendoj se mund të bëj shumë mirë. Sigurisht, kam nostalgji për Milanin. Po flasim për 150 ndeshje, 63 gola, një titull kampion dhe një Superkupë. Do të ishte një ëndërr të isha në gjendje të kthehesha te Milan, që është në zemrën time”, shtoi më tej braziliani Pato.
Ish-sulmuesi rossoner u pyet nëse ai do të pranonte një rol si zëvendës i Zlatanit, por ai pretendoi që të dy mund të luanin së bashku. “Po, ku është problemi? Por nuk do isha për shumë kohë zëvendësues sepse do bindja trajnerin pas disa ndeshjes (qesh). Në fakt jo, ndoshta do të luanim të dy bashkë me Ibran. Ne do të ishim një çift i shkëlqyer. Jam frymëzuar nga ai para së gjithash sepse nëse Ibra mund të bëjë atë që ai bën 39 vjeç, edhe unë mund ta bëj në këtë moshë që jam. Sa më shumë të rritesh, aq më shumë duhet të punosh. Ibra dhe Milani po i japin gjithçka njëri-tjetrit dhe ai është thelbësor për rritjen e klubit. Ai është djalë i mirë, mbase disa herë i çuditshëm, por shumë i mirë. Më pëlqen shumë edhe Hernandez, një kryqëzim mes Cafu dhe Serginho”, vazhdoi më tej Pato, i cili më pas ka folur edhe për trajnerin Pioli.
“Për fat të mirë ata i kanë dhënë besim. Ai di të menaxhojë Ibran dhe pjesën tjetër të skuadrës, si dhe marrëdhëniet me klubin. Pretendimi për titullin është i ligjshëm. Pioli është trajneri i duhur për një Milan, që do të shkojë shumë larg. Nëse ai dëshiron, mund të më telefonojë “.
Në fund Pato ka folur për transferimin e mundshëm te Fiorentina. “Është e mundur. Ata janë një klub i shkëlqyer, me shumë kampionë dhe një ekip të mirë. Pastaj Firence është një qytet shumë i bukur”, përfundoi Pato.