Askund, përpos në Kroaci, nuk u burgosën politikanë për zhvatje e kriminalitet, mirëpo Brukselit nuk iu bë vonë të jep rekomandime për fillim të negociatave. Për fat të mirë kjo garniturë politike në Maqedoni humbi pushtetin, por nuk i humbi ambiciet për të qenë aktuale në bursën e allishverisheve politike
Nga Emin AZEMI
Maqedonia po i bën hapat e fundit në maratonën e saj drejt integrimeve. Parlamenti është ndarë në dysh, kurse skenës politike i mungon një figurë unifikuese që do të reflektonte besim dhe respektim të ndërsjellë. Ai që duhet të jetë i tillë, vazhdon të jetë një gomar me qira që bart banalitetet e partisë së tij. Thjesht, Maqedonisë i mungon autoriteti moral i ndonjë personi që do të mund të bënte kapërcime partiake e ideologjike, në favor të kauzave të përbashkëta. Ajo që aktualisht po bën kryeministri Zaev, është një përpjekje utilitare për t’i shndërruar ndasitë në pajtim, por mbarësimi i politikës me tensione e paragjykime ka bërë që dora e shtrirë të shënojë vijën që ndan Maqedoninë në dy sfera interesimesh sociopolitike me prejardhje njëetnike.
Zbritja e debatit nga parimet në çështje numrash, e ka ngushtuar kuptimin e parlamentarizmit në tema që më tepër kanë të bëjnë me mbijetesën politike, se sa me ndonjë strategji zhvillimore. Kërkesës së Zaevit për të tejkaluar 27 prillin, në shenjë pajtimi për hir të proceseve eurointerguese, iu kanë përgjigjur pozitivisht një pjesë e VMRO-së, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre po hezitojnë. Ata duan që amnistia të përfshijë një gamë më të gjerë njerëzish e veprash, përfshi edhe ish liderin Gruevski. Është pra kjo parti që konsideron se faktorët që ndikojnë në hyrjen e Maqedonisë në NATO e BE- nuk janë reformat dhe standardet, por falja e krimeve dhe kriminelëve. Atyre nuk iu intereson që çfarë shteti po i u lënë pasardhësve të tyre. Për ta më me rëndësi është t’i shpëtojnë burgut disa eksponentët të partisë së tyre, se sa Maqedonia të shpëtojë nga mengeleja e izolimit.
Këtu qëndron edhe absurdi që mendjet e shëndosha nuk mund ta akseptojnë. Parasegjitash është i paakseptueshëm promovimi i kulturës së mosndëshkimit në politikë. Në Ballkan ky është një sindrom i njohur dhe gjithkund i kemi prezent fytyrat e njëjta që nga vitet nëntëdhjetë, të paktën në këtë pjesë Juglindore të gadishullit. Askund, përpos në Kroaci, nuk u burgosën politikanë për zhvatje e kriminalitet, mirëpo Brukselit nuk iu bë vonë të jep rekomandime për fillim të negociatave. Për fat të mirë kjo garniturë politike në Maqedoni humbi pushtetin, por nuk i humbi ambiciet për të qenë aktuale në bursën e allishverisheve politike. Kaq e paska pasur patriotizmi i tyre. Doktrina e dikurshme që pretendonte kufi të gjerë krenarie, sot është rrudhur në një pashallëk hajdutësh që po kërkojnë të shpëtojnë kokën. Që ironia të jetë më e madhe ata duan që këtë pashallëk ta vënë në kandarin e matjeve politike, kurse rrugëtimin drejt BE-së ta bëjnë me patericat e amnistive. Mund ta imagjinoni si do të dukej kjo rrugë, plot lecka gardhiqeve të lodhura të dinjitetit, me kompleksin e fajit të pandëshkuar. (koha.mk)