Prodhojmë patate, por nuk kemi prodhim të patatinave. Ose, nuk kemi asnjë fabrikë që prodhon ushqime të gatshme për tregun vendor dhe të jashtëm, si gullash, groshë apo speca të mbushura
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 shkurt – Maqedonia ngec me finalizimin dhe përpunimin industrial të pemë-perimeve. Përkundër potencialit të madh dhe traditës në prodhimin e pemë-perimeve, megjithatë tek industria ushqimore dominon finalizimi themelor si ngrirja dhe sterilizimi në vend që të kemi përpunim më të madh të prodhimeve të gatshme për konsum si konzerva gjellë të gatshme e kështu me radhë, shkruan gazet KOHA. Profesori universitar Boris Anakiev, thotë se të dhëna alarmante ka për prodhimin primar, si dhe prodhimin primar të dedikuar për përpunim.
“Në vitin 2017 janë prodhuar 359 mijë tonë domate dhe speca, ndërsa si prodhim industrial i konservuar dhe i ngrirë janë prodhuar vetëm 24.7 mijë tonë perime. Njëherazi, nivelin e ulët të përpunimit dhe finalizimit të prodhimeve bujqësore primare e tregon edhe vlera e çmimeve eksportuese, ku çmimet mesatare të ushqimit të eksportuar nga Maqedonia në pesë vitet paraprake kishin vlerën, pë r shembull, një ton prej 815 mijë dollarë, ndërsa në të një jtën kohë, vlera e ushqimit të importuar për të një jtën periudhë ka vlerën prej 1164 mijë dollarë për ton”, thekson ai.
Të dhënat statistikore tregojnë se përkundër rritjes së eksportit të përpunimeve të pemë-perimeve, vitet e kaluara, që e tregon rritja për shembull e ajvarit nga 12.4 milionë euro në vitin 2013 në 18.4 milionë euro në vitin 2017, megjithatë kapacitetet e industrisë konservuese nuk shfrytëzohen as me 50 për qind, ose në mesatare – arrijnë në 35 deri 40 për qind të shfrytëzimit të kapaciteteve përpunuese. Nga ana tjetër, nga industria e ushqimit thonë se një nga problemet kryesore me të cilin ballafaqohet kjo degë ekonomike vite me radhë është mungesa e lëndës së parë, ndërsa kohën e fundit këtij problemi i është shtuar edhe mungesa e punëtorëve.
“Nevojitet të arrihet marrëveshje paraprake midis prodhuesve dhe furnizuesve për të ditur se çka do të prodhohet, ose nga përpara duhet të sigurohet lënda e parë në marrëveshje me bujqit që do të prodhojnë me çmime të sigurta grumbulluese”, thotë pronari i fabrikës “Agro-Komerc”, Kiro Jovev. Sipas tij, problem tjetër është edhe mungesa e punëtorëve në këtë sektor.
Në ndërkohë, agronomët thonë se shteti urgjentisht duhet të intervenojë duke gjetur mënyra që më shumë të stimulojë dhe përkrahë eksportin e pemë-perimeve të përpunuara apo me vlerë më të lartë të shtuar, në vend të eksportit të pemë-perimeve të freskëta, apo eksportit të lëndëve të para të papërpunuara. Në këtë drejtim nevojiten edhe stimulime të ndryshme eksportuese siç janë mbulimi i harxhimeve për transport, promovim në tregjet e jashtme, brendimi, si dhe lehtësime të tjera fiskale. Me fjalë të tjera, kërkohet një organizim më i madh në aspekt sistemor të prodhimtarisë primare bujqësore, që do të harmonizohet me nevojat e përpunuesve.
Pritet që edhe mjetet e reja IPARD që do të jenë në disponim të prodhuesve bujqësor, të rrisin edhe më tej eksportin e prodhimeve të përpunuara bujqësore dhe ushqimore. Bizneset duhet të shfrytëzojnë edhe mjetet e IPARD 2 të vlefshme 11.8 milionë euro, për të investuar tek kompanitë vendore të përpunimit dhe kultivimit të prodhimeve bujqësore, apo që të ndërtojnë kapacitete të reja ose edhe të modernizojnë ato ekzistuese. Qëllimi është të arrihen standardet evropiane dhe të krijohet prodhim final i Maqedonisë me vlerë të shtuar.
Me përkrahjen e investimeve në industrinë përpunuese të mbështetur me fondet evropiane, hapen mundësi për vendosjen e prodhimeve dhe teknologjive të reja, përforcimin e zinxhirit për furnizim me ushqim, ndërmjet përpunuesve dhe prodhuesve primar, apo zgjidhjen e problemit me tepricën e prodhimeve bujqësore.
Ndryshe, në të ardhmen pritet të zgjidhet edhe problemi me shfrytëzimin e ulët të kapaciteteve prodhuese të industrisë ushqimore, ku për shembull, kapaciteti i ajvarit në të kaluarën ka qenë deri në dy milion njësi, por që vlen vetëm për tre deri katër muaj, ku edhe ka lëndë të parë si specat e kuqe. Nga ana tjetër, në muajt e tjerë të ciklit të prodhimit përpunohet lënda e parë që është në disponim. Sfidë në të ardhmen mbeten edhe brendet e reja, ku për shembull prodhojmë patate, por nuk kemi prodhim të patatinave. Apo nuk kemi asnjë fabrikë që prodhon ushqime të gatshme për tregun vendor dhe të jashtëm, si gullash, groshë apo speca të mbushura. (koha.mk)