Omer XHAFERI
Shkup, 7 shkurt – Pas dy muajve e më tepër, në kuadër të aksioneve të përgjithshme të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe gjelbërime”, do të fillon krasitja e drunjtëve në rrugën “Kemal Sejfullah” në lagjen Çair të Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Pavarësisht se autoritet lokale premtuan se shkurtimi i degëve të vjetra të këtyre druve do të bëhet brenda vitit që shkoi, një gjë e tillë nuk u realizua. Mirëpo, sipas paralajmërimeve nga drejtoria e “Parqeve dhe gjelbërimeve”, përfundimisht pastrimi dhe prerja e druve të vjetër do të bëhet brenda ditëve që vijojnë. Këtë lajm e ka konfirmuar për gazetën KOHA, edhe drejtori i NP “Parqe dhe gjelbërime” Dushan Aviroviq, i cili ka theksuar se nga dita e martë në lagjen Çair të Shkupit, dy ekipe me punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, do të bëjnë krasitjen e drunjtëve të vjetër.
”Shërbimet pranë Sektorit për pastrimin e drunjtëve gjatë ditës së martë, do të bëjnë shkurtimin e drunjtëve të thatë dhe të degraduar, me çka në kuadër të këtij aksioni do të përfshihen rrugët Vukovarska, Bllagoja Paroviq, Kërste Arsenov dhe Lazo Tërpevski. Në ndërkohë, ekipet tona krasitjen e druve do ta bëjnë edhe në rrugën Kemal Sejfullah”, tha drejtori Aviroviq.
Ndriçimi i pjesërishëm në rrugën “Kemal Sejfullah” dhe mos krasitja e druve, paraqet problemin kryesor me të cilët ballafaqohen banorët e kësaj pjesë të qytetit të Shkupit (posaçërisht gjatë periudhës së verës), që shtrihet në territorin e Komunës së Çairit. Sipas qytetarëve që jetojnë në dy anët e kësaj rruge, lëvizja gjatë orëve të natës nëpër trotuare dhe në vendet për këmbësorë është bërë shumë e rrezikshme. Errësirën e natës, gjatë netëve të verës, siç thonë ata e ndriçojnë vetëm dritat e veturave, të cilët jo rrallë herë dinë të vozisin me shpejtësi të lartë. Nëpër këtë rrugë që i lidh dy komunat, atë të Çairit me Butelin, janë të pozicionuara një varg institucionesh, duke filluar nga ndërtesa e Postës së Maqedonisë, pastaj çerdhja që gjendet në afërsi të kësaj godine, respektivisht stadiumi i Shkupit dhe poliklinika e Çairit. Ndonëse, trasa e kësaj rruge vazhdon deri në brendësi të lagjeve të Butelit, në kuadër të së cilës funksionon shkolla e mesme ekonomike “Arsenie Jovkov”, ndriçimi gjatë mbrëmjes, krasitja e drunjtëve dhe shënimi i vijave të bardha për këmbësor nuk paraqet ndonjë pengesë për banorët e kësaj pjese të qytetit. Prezenca e frikës tek këta banorë është si pasoje e aksidenteve tragjike që kanë ndodhur vite më parë, ku si shkak i shpejtësisë së madhe në udhëkryqin që e lidh këtë rrugë me rrugën “Arkieskop Deotosij”, kanë ndërruar jetë dy persona, njëri prej të cilëve i moshës 22 vjeçare.
Tjetër sfidë e përditshme, me të cilat qytetarët e banesave përskaj rrugës “Kemal Fejzullah” ballafaqohen, është edhe parkimi i automjeteve të ndryshme, në mesin e të cilëve dhe autobusë. (koha.mk)