Pavarësisht nga retorika, në politikë duhet pasur përherë parasysh edhe PR-in(në fillim të pluralizmit partitë nuk e dinin këtë, po tash u mësuan), ndaj dhe këto lëvizje, mund të jenë pikërisht një lojë për publikun, i cili, mbas të gjithave, kërkon edhe ndonjë “kurban”…
Nga Daut DAUTI
Në komunën Karposh, para do kohe, një aktor maqedonas ia dha Zaevit fshesën. Një fshesë të mirëfilltë me të cilat punëtorët e “Komunalecit” fshijnë rrugët e Shkupit. Por, kuptohet, aktori Dac ia dha kryeministrit për t’ia “përkujtuar” se pas “fitores së Pirros” në zgjedhjet presidenciale(e Piros, sepse kandidati i qeverisë fitoi në tërësi(me ndihmën e votave shqiptare), por realisht humbi në mjedise maqedonase), ka ardhur koha për pastrim të radhëve qeveritare. Që të ndërrojë ca kuadro “të paaftë” me “më të aftë”.
Ne në Ballkan, fajin përherë e hedhim te dikush tjetër, ndaj dhe debatet pas këtyre zgjedhjeve u zhvilluan në atë stil. Por më interesant bëhet muhabeti kur aludohet në emra të përveçëm, ndaj shtohet dhe kureshtja cili do të bie cili do të ngritet.
RIKONSTRUIMI SI RITUAL POLITIK
Ka diçka që ky rikonstruim qeverie ose freskim të kuadrove udhëheqëse në shumë pozicione tjera, i ngjan një rituali! Pse? Sepse niset nga një imponim situate se diçka duhet të ndryshohet patjetër, me kusht që ta pësojë ndonjë edhe që nuk ka fort faj për rrethanat e krijuara.
Prej se nisi të përmendet “fshesa” pas zgjedhjeve presidenciale, dilema kryesore, pa ndonjë analizë të thuktë, ishte përse ka rënie të përkrahjes ndaj qeverisë, ose partive të koalicionit. Më saktë, pse në zgjedhje presidenciale kandidatja e VMRO-së krijoi një raport të ri në elektoratin maqedonas dhe cilat janë shkaqet. E para gjë, është të mendohet se ndoshta marrëveshja e Prespës për ndërrimin e emrit dhe ndryshimet kushtetuese plus ligji për gjuhët ka ndikuar te humbja e përkrahjes te elektorati maqedonas. Mirëpo, këto projekte politike kanë qenë të njohura edhe në prag të zgjedhjeve lokale, por ato LSDM-ja i fitoi bindshëm, pra, sikur këto çështje “problematike” tashmë janë gëlltitur nga votuesit, ndaj “penalizmi” mund të jetë për shkaqe tjera. E, shkaqet tjera, janë më serioze nga të përmendurat dhe këtu Zoran Zaevi e Ali Ahmeti duhet t’i kërkojnë përgjigjet. Që në fillim të mandatit të kësaj qeverie, pata vënë në dukje se rreziku kryesor për qeverinë do të jetë mosrealizimi i premtimeve në fushën e zhvillimit, politikave sociale dhe zvogëlimit të papunësisë. Ndonëse shumëkush pa të drejtë e fajëson qeverinë aktuale për procesin migrativ, duket sikur si asnjëherë më parë po shkruhet e flitet për këtë problem, i cili më shumë ia adresojnë kësaj sesa qeverisë së mëparshme, e cila si duket, duke pasur më shumë media nën kontroll, e kishte minimizuar problemin(bile, lëvdohej me zvogëlimin e papunësisë, ndonëse kjo dukej qartë se ishte pasojë e ikjes së njerëzve jashtë, ndërkohë që flitej për një numër prej rreth 600 mijë të migruarish). Largimi i përditshëm për në perëndim që po vazhdon ende, duhet të ketë qenë një nga arsyeja e jehonës së ulët në zgjedhje, këtë e paraqesin si ulje të përkrahjes së partive konkrete. Ndër shkaktarët që doemos do ta kenë zbehur optimizmin fillestar të qytetarëve ndaj kësaj qeverisje, janë një seri skandalesh korruptive ose zbulimi i nepotizmit, gjë që nuk e dallon nga ajo qeveri që për shkak të këtyre dukurive qe larguar.
PASTRIM “GJENERAL” PËR BARAZIMTARI FAJI?
Mirëpo, halli më i madh për të gjitha këto i takon të parit, pra, kryeministrit Zaev. I përballur me nevojën se “duhet bërë ndonjë ndryshim”, ai bëri diçka ndryshe nga pararendësit dhe ndryshe nga ç’e mendonin disa bashkëpartiakë të tij, të cilët u përpoqën që krejt fajet t’ua hedhin partnerëve të koalicionit. Rituali vazhdon me një risi kësaj radhe, që Zoran Zaevi e nisi jo si përgjegjësi ekzekutive, por si përgjegjësi partiake. Sepse ai bëri hapin më riskant për veten, duke e përdorur “fshesën” pikërisht për të pastruar oborrin partiak. Dhe jo çfarëdo pastrimi “anësor”, por “generallkë” , siç do të shpreheshim dikur në kazermat ushtarake të ish-APJ-së(JNA-së). Ai nisi që nga udhëheqësia më e lartë partiake e deri te shefat lokalë partiakë.
Duhet cekur se kjo lëvizje e befasishme taktike e Zaevit ka shumë përparësi por dhe mangësitë e veta.
Përparësia kryesore është që ai eviton debatet kush është fajtor e kush nuk është. Me këtë gjithë fajin ua hedh të gjitha strukturave të partisë. Me fjalë të tjera, ai thotë se nëse si parti kemi rënie, ta ndajmë të gjithë bashkë përgjegjësinë, pa i mbetur hatri kurrkujt. Kjo në shikim të parë duket si veprim taktik që mund ta ruajë monolitizmin e partisë, edhe pse pas kësaj, sigurisht kanë mbetur shumë sedra të lënduara. Tash për tash, nuk mund të pritet ndonjë pakënaqësi më e madhe në radhët e partisë, duke e pasur parasysh se çdo turbullirë brenda saj mund të ketë efekte negative karshi opinionit publik dhe mund ta rrezikojnë pozitën që ua mundëson të qenit parti në pushtet. Shumëkush do ta kapërdijë vrerin dhe do të heshtë, prandaj askush nuk po ankohet.
Por, ana tjetër e medaljes është se nëse dobësitë e veprimit politik partiak kanë shkaktuar rënie të besimit, me këtë barazimtari faji i iket përgjegjësisë së mirëfilltë dhe konkrete. Kurse përgjegjësia konkrete duhet të kërkohet te personat konkretë dhe angazhimi i tyre i deritashëm, e jo të futen në një thes të gjithë, që mund të shkaktojë pakënaqësi te ata që vërtet janë dëshmuar. E fundit, ndoshta që mund të ketë efekte afatgjate, Zaevi ka luajtur si në ato filmat shpageti-uesternë, kur “i miri”(ndonjë Xhuliano Xhema, Franko Nero a Terens Hill…) me dy tullumbace, u del përballë të gjithë të këqijve dhe i shtrin përtokë një nga një. Në filma kjo i shkonte përdore “mllaiçit”(ashtu e quanin do vite të shkuara kur e shikonim filmin “Njëri kundër të gjithëve” te kinema “Napredok-u”), sepse ashtu e kishin shkruar skenarin, e jo pse kjo ishte realisht e mundur. Tash për tash, edhe Zaevit i shkon përdore “kundër të gjithëve”, sepse edhe ai realizon një skenar atraktiv për publikun.
Shumë nga sedrat e lënduara, nesër, në një situatë të papërshtatshme, gjitha fajet mund t’ia adresojnë Zaevit dhe prej tij të kërkojnë përgjegjësi duke e lënë vetëm, sepse humbja e privilegjeve të sapo fituara(pas dhjetë vjetësh abstenim), mund të jetë një goditje e rëndë për shumë aktivistë ambiciozë.
Duke nisur ta pastrojë oborrin e vet, Zaevi sikur deshi të arrijë edhe një efekt tjetër: duke dhënë shembull personal, ia hedh topin Ali Ahmetit për të luajtur në oborrin e BDI-së. Edhe pse disa ministra i çuan selam Zaevit se përgjegjës për ta është lideri i tyre, BDI-ja në organet e veta partiake nuk mund të vendoste ndryshe pos pro ndryshimeve, por, pas një vlerësimi real të punës së secilit. Për të bërë ndonjë ndërrim, duhet të ketë ndonjë analizë paraprake kush çka ka punuar dhe çfarë ka arritur dhe ku ka dështuar. Në këtë situatë a ka diçka të tillë Zoran Zaevi? Ai të enjten deklaroi se ai dhe Ali Ahmeti janë të vetëdijshëm se në radhët e tyre kanë kandidatë jo të aftë, që është një vlerësim primor, por që tingëllon vrazhdë. Shumëkush mund ta pyesë: po ti nuk i njihje bashkparetiakët tua që janë të paaftë?
Pavarësisht nga retorika, në politikë duhet pasur përherë parasysh edhe PR-in(në fillim të pluralizmit partitë nuk e dinin këtë, po tash u mësuan të gjithë), ndaj dhe këto lëvizje, mund të jenë pikërisht një lojë për publikun, i cili, mbas të gjithave, kërkon edhe ndonjë “kurban”.
PËRGJIMET SI NË BIT PAZAR…
Këtë javë bisedimet midis partive rreth statusit të Prokurorisë Speciale kanë bërë kthim prapa, për shkak të kërkesave “të reja” nga VMRO-ja. Nuk dihet saktë se si do të merren vesh partitë, duke e pasur parasysh se statusi i PSP-së mund të jetë një pengesë për marrjen e datës për BE. Mirëpo, nëse PSP-ja ka pasur një mandat që lidhej me përgjimet e paligjshme të politikanëve dhe qytetarëve të shumtë, kjo çështje tashmë po devalvohet dita-ditës. Ato incizime, të cilat “patriotët brenda shërbimeve” ia kishin dorëzuar lideri të atëhershëm të opozitës dhe ky pastaj të gjitha ia dorëzoi PSP-së që u themelua pikërisht për to, tash janë bërë si një mall i lirë që mund ta gjesh si CD-të false te shitësit e rrugëve dhe nuk dihet më nëse ato i ka PSP-ja, LSDM-ja, apo dikush tjetër, por kur ta shohësh, ka dalë diçka në portalet me emra të rrejshëm, të cilat sipas nevojave ditore i lëshojnë në eter dhe askush nuk thotë se prej nga janë. Kushdoqë t’i posedojë përveç PSP-së dhe i përdorë ato, bën vepër penale. Por që ato tash shërbejnë për shantazhe a presione, është një sinjal i keq edhe për statusin e PSP-së, sepse nuk është i vetmi subjekt që i posedon ato, që e bën të pakuptimtë rolin e tyre në procedura gjyqësore kur ato janë në treg të lirë për qërim hesapesh politike. Nëse dikush merret në shënjestër përmes tyre, kur e di se nuk ka kontroll institucional ndaj incizimeve të tilla, atëherë si mund të pritet që të votohen nga partitë që merren në shënjestër?!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)