Para se të nisemi në xhami për namaz të bajramit, besimtarët pastrohen, dhe në këtë gjë pajtohen të gjitha grupet. Këtë e kanë praktikuar as’habët më të mëdhenj: Ibn Umeri r.a., Aliu r.a., Hasan Basriu e të tjerë nga dy brezat e parë. Koha e pastrimit duhet të jetë sa më afër bajramit, por për shkak të rrethanave të ndryshuara, largësisë së xhamive e tjera, pastrimi mund të bëhet kurdo qoftë para bajramit.
Pastrimi i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, oborrit dhe rrugës
Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive por edhe pastërtisë shpirtërore, ekologjike etj. nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve muslimane pastrimi i shtëpisë, i dekorit shtëpiak etj. Pastrohet edhe oborri i shtëpisë, stërpiket me ujë rruga dhe hiqen mbeturinat si kurrë më parë. Ditët e fundit para bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë, që ditët e bajramit të duken sa më të këndshme.