Korrier i gjyqësor i ndjerë, i cili nuk i kishte dërguar 1500 urdhër-pagesa te palët, e ka aktualizuar temën e reformimit të administratës gjyqësore së bashku me procesin e filtrimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Ekspertët e fushës së drejtësisë vlerësojnë se një proces i tillë është i pashmangshëm dhe ai duhet të realizohet në të mirë sistemit gjyqësor
Omer XHAFERI
Shkup, 20 janar – Procesi i pastrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë patjetër duhet ta përfshijë edhe administratën gjyqësore si një sektor i posaçëm i mbarëvajtjes së procedurave gjyqësore pranë gjykatave të vendit. Zbulimi i rastit të fundit, ku në shtëpinë e një korrier gjyqësor ishin zbuluar 1500 urdhra-pagesa të padorëzuara te palët, edhe më tepër e ka vërtetuar tezën se reformimi i sistemit të drejtësisë në vend gjithsesi se duhet të përfshijë edhe këtë segment të gjyqësorit. Ish-gjykatësja e Strasburgut, Margarita Caca Nikollovsa, për gazetën KOHA, shprehet se kjo nuk është hera e parë të konstatohet një gjë e tillë, gjegjësisht problemet e tilla, sipas saj, duhet të trajtohen nga më shumë aspekte. Përgjegjësia e parë, siç shprehet njohësja e mirë e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, i takon atij të cilët nuk e ka kryer detyrën e punës siç duhet, pastaj përgjegjësia tjetër është e personave që është dashur të kontrollojnë dhe personat që e organizojnë punën (përgjegjësi i zyrës së regjistrimit, përgjegjësit e sektorëve).
“Në procesin e pastrimit në gjyqësor nuk mund që administrata gjyqësore të mos përfshihet. Çdoherë kam thënë se gjykata nuk është vetëm gjykatësi. Gjykata është administrata e plotë e cila punon në gjykatë. Pastaj ku janë këtu prokurorët, avokatët, janë raportet e prokurorëve me administratën e gjykatësit, apo të avokatëve me këtë administratë. Ne kemi pasur shumë probleme në këtë drejtim dhe shumë punë i kemi ditur. Por, tash është me rëndësi të vërtetohet saktë se kush është përgjegjës për situatën e tanishme, kush e ka përcjellë punën e atij korrieri, kush është përgjegjës për zbulimin apo mos zbulimin (mbulimin) dhe detyrë e gjykatësit nuk është vetëm përfundimi i lëndës. Sipas standardeve ndërkombëtare, gjykatësi është përgjegjës deri në përfundim final të vendimit, respektivisht deri në fillim të ekzekutimit të dënimi ai është i duhuri i cili duhet ta ndjek ekzekutimin e dënimit”, shprehet Caca Nikollovska.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të RMV-së, Kire Zdravev, për KOHA, thotë se rasti i fundit me korrierin gjyqësor ka nxitur nevojën për pastrim edhe të nëpunësve gjyqësor, gjegjësisht ndryshim apo miratim të një Ligji të ri për shërbimin gjyqësor. Ai vlerëson se nëpunësit e pandërgjegjshëm dhe jo profesional nuk e kanë vendin në shërbimin gjyqësor. “Ky proces tashmë është iniciuar nga ana e Këshillit Gjyqësor, dhe në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë bëhen përgatitjet. Dilema është nëse duhet të shkojmë me Ligj të ri për shërbimin gjyqësor apo do të ketë mundësi të intervenojmë me ndryshim-plotësim në ligjin aktual për shërbim gjyqësor. Pra, nuk ka dilema se ai ligj do të ndryshohet. Punojmë në zbulimin e këtyre rasteve dhe nëse ka sigurisht se opinion do të informohet. Në rastin konkret, nëpunësi gjyqësor ka ndërruar jetë. Megjithatë, ne tash jemi në fazë të kontrollit se vallë ka përgjegjësi gjykatësi, ose kryetari i gjykatës”, tha Zdravev.
Ndryshe, ditë më parë, shefja e Prokurorisë për parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Villma Ruskoska, deklaroi se Këshilli Gjyqësor e ka njoftuar se te një korrier i ndjerë i gjykatës, janë zbuluar 1500 urdhra pagesa pa u dorëzuar te palët, me çka në këtë rast – buxheti shtetërore ishte dëmtuar për 20 milionë denarë. Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë më tepër raste të tilla, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një korrier gjykate. (koha.mk)