Fushata “Pastrim pa pagesë të sërnishtës” është drejt përfundimit, ndërkaq kryetari Shilegov u shpreh i kënaqur nga rezultatet e arritura nga kjo kampanjë. Ai shpreson se ky projekt do të vazhdojë në të ardhmen në bashkëpunim me institucionet e tjera me çdo do të parandalohet ndotja e ajrit
Remzije BILALLI
Shkup, 27 shtator – Komuna e qytetit të Shkupit në konferencën e djeshme informoi qytetarët për kampanjën për “Pastrim pa pagesë të sërnishtës” të mbështetur nga UNDP si dhe MDCTI, projekt i cili është drejt përfundimit. Kryetari i Komunës së Shkupit, Petar Shilegov vlerësoi si te suksesshëm këtë projekt, ku në periudhë kohore nga 20 gusht e deri më sot janë paraqitur 120 qytetarë të Shkupit për largimin e mbeturinave të korrjes.
“Kemi rezultate të shkëlqyeshme deri më tani nga ky projekt. Me anë të kësaj është bërë parandalimi i djegies së 600 metër kub mbeturinash, ndërsa qyteti i Shkupit është qyteti i parë i cili ka aplikuar këtë projekt për parandalimin e djegies me qëllim të parandalimit të ndotjes së ajrit, ruajtjen e tokës si dhe përhapjen e zjarreve të cilat shpesh shkaktojnë dëme materiale dhe humbje të jetës së njerëzve”, tha Shilegov. Mes të tjerash ai theksoi se ky projekt do të vazhdojë më tutje duke u përhapur edhe në nivele të tjera duke shpresuar që në të ardhmen të kyçen edhe institucionet tjera kompetente me çka së bashku do të luftojmë ndotjen e ajrit.
Përfaqësuesi Xhef Li nga organizata partnere e projektit MDCTI, të cilët siguruan ndihmë financiare dhe profesionale theksoi se, për shkak se kampanja është drejt përfundimit po shohin mundësitë se a ka nevojë për financa apo ndihma tjera shtesë. Ai beson se kampanjë e tillë e cila ishte mjaftë e suksesshme do të vazhdojë edhe më tutje. Miroslav Bogdanovski udhëheqës i sektorit të Inspektoratit në Shkup, u shpreh se për herë të parë i kanë aktivizuar dronët me anë të të cilave bëjnë inspektimin e terrenit.
“Me anë të dronëve ne lokalizojmë vendet dhe identifikojmë personat të cilat kryejnë hedhje të mbeturinave. Gjithashtu janë formuar ekipe për patrullim në teren të cilat do të përforcojnë kontrollimin në teren. Prandaj çfarëdo që të ndodhë në teren kemi inspektor të cilët do të reagojnë menjëherë”, tha Bogdanovsk. Ai shtoi se inspektim intensive janë duke kryer në Komunën e Sarajit nga ku vjen numri më i madh i thirrjeve si dhe në Komunën Gjorgje Petrov. Mirëpo kontrolle ka edhe në të gjitha komunat tjera ku nuk respektohet ligji. (koha.mk)