Federico Pastorello, menaxheri që përfaqësonte drejtat e sulmuesit belg Romelu Lukaku, ishte sot në zyrat e klubit të Interit, ku takoi drejtuesit zikaltër, për të diskutuar mbi një sërë çështjesh të merkatos.
Pasi doli nga takimi, Pastorello zbuloi se zikaltrit po shfaqin interes për belgun dhe se negociatat janë të hapura, por pranoi se është një operacion i vështirë, që do të marrë kohën e vet, për t’u konkretizuar.
“Isha këtu për të folur për Verganin, i cili pritet të transferohet te Sassuolo, në kuadër të operacionit që do të sjellë Sensin te Interi. Lukaku është një ëndër dhe si e tillë, është e vështirë për t’u realizuar, por jo e pamundur, Interi po provon dhe vetë sulmuesi ka shprehur dëshirën e tij”, tha agjenti.
Federico Pastorello është edhe njeriu që po ndërmjetëson kalimin e anësorit austriak Valentin Lazaro nga gjermanët e Herthës së Berlinit, te Interi, ndërsa sqaroi se në çfarë pike janë negociatat me të.
“Ka mundësi reale që të veshë fanellën e Interit, por për momentin ka diferenca në vlerësimin ekonomik të kartonit të futbollistit. Interi dhe Hertha janë ende larg, por me vullnet, mund të gjejnë gjuhën e përbashkët”, tha Pastorello.