Drejtori sportiv i Paris Sen-Zhermen, Antero Henrike, është përgjigjur për “Le Parisien” rreth të ardhmes së Havier Pastores. “Është një futbollist që ka një histori në klubin tonë dhe në kushte të caktuara ai dhe Di Maria janë futbollistë shumë të rëndësishëm. Gjithsesi, ka tre faktorë të ndarë që duhen marrë në konsideratë, Paris SZH, futbollistët dhe merkato e transferimeve. Futbollistët që nuk janë të kënaqur mund të largohen nëse ekzistojnë rrethanat e duhura”, u shpreh Henrike. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pasi shtypi në Francë kishte shkruar se dyshja argjentinase e PSZH, Di Maria-Pastore, mund të largohen nga Ligue 1, për të shkuar te Interi në Serie A. Trajneri i zikaltërve Luçiano Spaleti deklaroi pas humbjes me Udineze se skuadra e tij kishte nevojë për fantazi në 1/3-t e fushës dhe se Pastore mund të ishte një zgjidhje. “Asnjë klub deri tani nuk ka kërkuar Pastore, i takon futbollistit të na thotë se cila është dëshira e tij. Ne jemi të hapur në këtë rast”, përfundoi Henrike.