Anketa e statistikës tregon se 22.2 për qind e popullatës apo mbi 460 mijë qytetarë në vend janë të varfër, kurse se 37 për qind e popullatës nuk kanë shkuar në kontroll mjekësor për shkak të mungesës së parave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 janar – Gjysma e amvisërive në Maqedoninë e Veriut nuk posedojnë as automjet dhe as kompjuter. Të dhënat e Entit të Statistikës , tregojnë se nga 567.007 amvisëri në shtet, bile 227.936 nuk kanë veturë si pronën e tyre, ndërsa bile 208.091 nuk posedojnë as kompjuter. Statistika më tej tregon se në shporet elektrik nuk gatuajnë 40.824 amvisëri, ndërsa 13.041 nuk posedojnë as bojler. Banjo nuk kanë 10.773 amvisëri, shkruan gazeta KOHA.
Edhe përkundër bumit të vërtetë të telefonisë celulare në vend dhe zvogëlimit të kostos të blerjes së një celulari, varfëria nuk ju lejon 45.927 amvisëri që të posedojnë as telefon celular. Kur jemi te posedimi i aparateve të ndryshme teknike akoma, 23.247 amvisëri me katër anëtarë nuk kanë mundësi të disponojnë as me televizor në ngjyra. Edhe përkundër uljes së çmimeve dhe shitjes më këste të aparateve të ndryshme për amvisëri fuqia e dobët blerëse pamundëson që si rrjedhojë e varfërisë, 49.329 amvisëri të mos posedojnë as fshesë elektrike, ndërsa 23.247 nuk posedojnë as lavatriçe.
Në ndërkohë, shumica e qytetarëve në Maqedoni me vështirësi i mbulojnë nevojat e tyre me të ardhurat mujore. Një e treta e qytetarëve thonë se me shumë vështirësi e kalojnë muajin, 26.8 për qind thonë se mbijetojnë vështirë, 28.8 për qind thonë se mbijetojnë me vështirësi të caktuara . Vetëm afër 16 për qind e popullatës thotë se e kalojnë muajin lehtë. Sipas anketës së Entit të Statistikës “Kushtet për të ardhurat dhe të jetesës në Maqedoni në vitin 2017″, afër 5 për qind e amvisërive në Maqedoni kanë tualet jashtë shtëpinë, afër 4 për qind nuk kanë as vaskë apo dush, ndërsa 14 për qind jetojnë në kushte joadekuate të jetesës si çati që pikon, mure të lagështa ose xhama të thyer. Statistika tregon se 37 për qind e popullatës nuk kanë shkuar në kontroll mjekësor apo mjekim për shkak të mungesës së parave, ndërsa afër 60 për qind janë përgjigjur se nuk kanë shkuar në dentist, për shkak se nuk kanë mundësi ti lejojnë vetes diçka të tillë.
Anketa e statistikës tregon se 22.2 për qind e popullatës apo mbi 460 mijë qytetarë në vend janë të varfër. Të varfër janë edhe 9 për qind e të punësuarve, 7.7 për qind e pensionistëve dhe 39 për qind e të papunëve. Gjithashtu të dhënat e raportit tregojnë se, 30 për qind e popullatës në Maqedoni në vitet e kaluara kanë qenë seriozisht e privuar materialisht që nënkupton pamundësinë e realizimit të së paku katër nga nëntë nevojat themelore siç janë: pagesa e qirasë apo komunaleve, ngrohja adekuate e banesës, pagesa e harxhimeve të paplanifikuara, lejimi i vetes ngrënie me mish, peshq apo mish pule në çdo të dytën ditë, verimi një javor, automobili personal , disponimi me makinë për larje, televizor me ngjyrë apo telefon. Ndryshe, statistika tregon se nga 373.955 amvisëri, 221.124 jetojnë nga pagat mujore, 52.031 amvisëri janë të vetëpunësuar, nga pensionet jetojnë 78.602 amvisëri e kështu me radhë.
EDHE EVROPA KA TË VARFËR
Të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave, Eurostat tregojnë se pak më pak se një e treta apo 28 për qind e popullsisë së BE nuk mund të përballonte një pushim vjetor një javor larg shtëpisë, me pjesën më të lartë të gjetur në Rumani me 59 për qind dhe me shkallën më të ulët në Suedi me 10 për qind. Gjithashtu 11 për qind e popullsisë së BE-së me një arsim terciar kishin rrezik nga varfëria apo përjashtimi social. Kjo shkonte nga 4 për qind Çeki dhe Maltë deri në 17 për qind në Greqi. Analizat e Eurostat për shtetet anëtare më tej tregojnë se 24 për qind fëmijëve në BE ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social duke filluar prej 13 për qind në Slloveni dhe Çeki dhe deri më 38 për qind në Rumani. Edhe të papunët në BE rrezikohen nga niveli i ulët i të ardhurave. Bile 65për qind e popullsisë së papunë në BE kishin rrezik nga varfëria ose përjashtimi social, me pjesën më të lartë të regjistruar në Gjermani me 80 për qind dhe shkallën më të ulët në Poloni me 48 për qind. (koha.mk)