Pasojat vrastare të ndotjes?

Në Maqedoni nga pasojat e ndotjes vdesin 1300 qytetarë në vjet apo ndërrojnë jetë nga katër qytetarë në ditë si rrjedhojë e sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit

Nga Fisnik PASHOLLI

Ndotja e ajrit në Maqedoninë e Veriut nuk është një problem që mundon vetëm Shkupin, dhe aq më është një çështje që është e re. Ajo paraqet një problematikë që mundon shtetin me dekada të tëra me intensitet më të vogël apo më të madh. Nuk është as e lehtë për tu zgjidhur, kërkon kohë dhe mjete financiar, por mbi të gjithë kërkon adresimin e saktë të problemit se prej nga po na ndodh ndotja në sezonin e dimrit apo verës, në Shkup, Tetovë, Manastir, apo në vendbanimet e tjera në shtet.

Nëse në Shkup edhe një qytetar i rëndomtë e din se ndërtimet shpesh vend e pa vend ia kanë marrë frymën kryeqendrës të vendosur në një luginë ku edhe ndërtesat e larta tani e pamundësojnë edhe atë pak qarkullim të ajrit që ishte i mundshëm para 20-30 vitesh, atëherë mbetet që qytetarët dhe opinion të dinë se cilat janë burimet e ndotjes në Shkup sipas muajve dhe stinëve, mbetet që analizat të tregojnë në nivel të tërë shtetit prej nga na vjen ndotja. Tani sikur më shumë supozohet për shkaktarët e ndryshëm të saj qoftë industria, ngrohja , transporti e kështu me radhë. Megjithatë sikur mungon edhe një analizë më serioze, përmbajtësore e përgatitur nga ndonjë institucion ndërkombëtar që do të ofronte edhe zgjidhjen e problemit .

Se ndotja paraqet një problem që kërkon një zgjidhje afatgjate tregon edhe studimi i Institutit Finlandez Meteorologjik dhe Institutit për Shëndet Publik sipas të cilit në Maqedoni nga pasojat e ndotjes vdesin 1300 qytetarë në vjet apo ndërrojnë jetë nga katër qytetarë në ditë si rrjedhojë e sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Njëherazi ndotja krahas pasojave fatale shkakton edhe dëme të mëdha në ekonomi. Përllogaritjet e Bankës Botërore tregojnë se humbjet nga fitimi potencial që nuk realizohet, si pasojë e uljes së e produktivitetit , mungesave në punë dhe vdekjeve të parakohshme të punëtorëve i kushtojnë ekonomisë vendore afër 250 milion euro në vit.

Pra ajo kërkon jo pak kohë, nuk është një punë sot për nesër por kërkon vazhdimësi punë këmbëngulëse, sigurimin e mjeteve,vendosjen e masave më të rrepta, mbikëqyrjen më të madhe si dhe kontrollet për shkaktarët e ndotjes.

Mbetet që arritja e një konsensus shoqëror nga të gjithë qoftë pozitë-opozitë, por edhe të gjithë faktorëve të tjerë, me qëllim të uljes së dukshme së ndotjes , për shkak ajo na dëmton të gjithë pa përjashtim. Çështje që duhet të zgjidhen së paku deri në sezonin e ngrohjes 2020-2021 janë edhe ndihma më e madhe dhe më serioze për kategoritë e prekura të qytetarëve, ndalesa e ngrohjes me materie që ndotin maksimalisht ajrin, që me rebalancin e ardhshëm por edhe me buxhetin për vitin 2021 që çdo kund ku ka mundësi të zëvendësohet ngrohja me mazut me atë me gaz në institucionet arsimore, shëndetësore e kështu me radhë ,zgjerimi i ngrohjes me klimë inverter në më shumë se 10 mijë amvisëri në tërë shtetin, pyllëzimi i mëtejshëm , subvencione edhe më të mëdha për izolimin e shtëpive, modernizimi dhe zëvendësimi i tërësishëm i autobusëve me naftë në Shkup me ngasje me gaz etj. (koha.mk)