Po profesorët, do të regjistrojnë veten se kush ka dhe nuk ka tituj fals? Po administratorët, do të tregojnë ata se kush janë punëtorët e kush rrinë kot në zyra? Po të tjerët… gjykatësit, mjekët, e gjithë ata që me punën e tyre prekin sferën publike, a do të ngrihen të kritikojnë paaftësinë, nepotizmin, partitë, politikat…
Nga Nazim RASHIDI
Them se ka një vend të veçantë në ferr, për të gjithë ata shoferë që në mesin e rrëmujës, ndalojnë “shkurt” në bulevarde, sidomos pas ndonjë kthese, duke bllokuar gjithë trafikun dhe kjo për diçka të pa rëndësishme që bëjnë. Por nuk është kjo ajo që dua theksoj sot. Është vetë arsyeja e një verimi të tillë. Më ndodhi rastësisht që ta mbaj mend shoferin i cili dje ishte ndalur anash bulevardit, ku nuk ka vend për parking, në pikun e rrëmujës në mëngjes ku të gjithë nxitojnë të arrijnë në destinacionet e tyre, dhe po i cili ditën tjetër, ishe viktimë e një veprimi të ngjashëm nga një shofer tjetër.
Kur ndalojnë vetë këta shoferë, nga reagimet e udhëtarëve të tjerë sidomos me boritë në kupë të qiellit, vjen një buzëqeshje dhe shprehje e një fytyre mallëngjyese. Disi kërkim falje por fytyra që pa fjalë thotë, “po një minutë ishte, na falni”… dhe me kokën poshtë e me mirëkuptim largohen. Të tillë shprehje kishte edhe ky shoferi të cilit ia mbaj mend fytyrën ditën kur ai kishte bllokuar trafikun. Por një ditë më pas, kur një tjetër, kishte bërë të njëjtin veprim, shoferi i rrëfimit tim, ishte kafshëruar. Zëri i tij ulërinte më shumë se boritë e makinave, që reagonin njëlloj si ndaj tij dje. Por ky sot, i njëjti i ngarkuar dhe me arsenalin e vokabularit ofendues, i reagonte një shoferi tjetër, me arrogancën më të madhe të mundshme.
Ja, kjo pamje e mëngjesit të rrëmujshëm jemi ne. Përherë dhe me lehtësi fajësojmë të tjerët dhe përherë dhe me më shumë lehtësi, shfajësojmë ose as që e vëmë fare veten në faj. Përulësia e ndyrë dhe buzëqeshjet dyfytyrëshe kur gabojmë vetë dhe agresiviteti dhe ofendimet nga më të rëndat kur të tjerët janë në faj, madje dhe për gabimin e njëjtë si në rastin e shoferit, tregon qasjen tonë, si shoqëri për të drejtën, drejtësinë, rregullat dhe mbi të gjitha atë mendësinë që është e fokusuar veç te vetja, te përfitimi personal dhe thuajse fare tek e përbashkëta, tek e mira e përgjithshme ku duam apo nuk duam kontribuojmë të gjithë. I përmend këtë shembuj se më duket një ilustrim i qasjes ndaj fenomeneve të shoqërisë tonë, ku shpesh ka ankesa, por dhe jo përgjegjësi personale, ku shpesh ka vërejtje por jo dhe vetëkritikë.
Më nxiti të mendoj për këtë një bisedë me Profesorin Bashkim Ziberi, Profesor i fizikës mjekësore, i cili është një hap para një zbulimi të madh kundër kancerit, duke qenë pjesë e një ekipi ekspertësh pranë Universitetit të Harvardit. Në bisedë me të ai tregoi se si profesorët, i heshtin një sërë problemesh serioze në mesin e tyre duke mos marrë përgjegjësinë kolektive që kanë. Profesor Ziberi akuzoi hapur për nepotizëm, veç sa nuk tha emra, kërkoi dhe veting të titujve shkencorë të profesorëve, që tregon se në mesin e stafit akademik në universitete ka nga ata që kanë tituj fallto, apo siç tha “on the record” pra në mes të regjistrimit dhe me plotë vetëdije, që ka dhe nga ata profesorë që s’kanë asnjë punim shkencor dhe janë me tituj.
Më falni, po ç’dallim ka kjo situatë me rrëmujën e mëngjesit dhe shoferët? A nuk është pjesë e të njëjtit mentalitet që përulesh dhe hesht dhe s’mban asnjë përgjegjësi për të përbashktën kur vetë je në gabim dhe hidhesh dhe bërtet kur të cenohet personalja edhe pse në faj? Kjo pamje jemi ne. Gjithandej e njëjta mendësi që buron nga pangopësia dhe hilja. Se si me hile të dal në krye, të bllokoj gjithçka që më vjen nga pas, sepse do të ma zbulojnë hilen dhe sigurisht asnjë përgjegjësi për pasojën që prek të gjithë.
Por pasoja është e madhe ama. Mendësia e shoferit vonon trafikun, por ajo e profesorit, e administratorit, e zyrtarit, e gazetarit, e gjithë profesionistëve i vonon të gjithë, me vite ama. Jo rastësisht arsimi është pika më e dobët e zhvillimit tonë. Se nëse hilja implantohet aty, normal që do të shfaqet kudo, dhe tek shoferët, që mund të jenë kush do. Madje dhe unë vetë dhe ti që lexon. Prandaj notat me hile, titujt e rremë, sjellin mesataristë po edhe injorantë në sipërfaqe. Dhe jo rastësisht arsimi është pika jonë më e dobët. Këtë e thonë statistikat sa herë që nxënësit dhe studentët krahasohen me të huaj, por e konstatojmë edhe ne vetë duke parë problemet në arsim.
Shprehjet e stër përdorura si ajo “veç dritë e diturisë, përpara do na shpjerë”, janë më pa asnjë vlerë, thuhen veç në ceremoni dhe raste, por në realitet, titullarët s’bëjnë asnjë reformë, mungojnë rezultatet dhe vazhdon logjika të marrish një diplomë sa për ta pasur. Kjo është pamja e përgjithshme, kur shkon në një zyrë dhe zyrtari s’di si të sillet, apo i sheh se si rrinë katër vetë dhe tre s’punojnë… E di nuk është se po them diçka të re e të pa parë, por them se duhet adresuar dhe me seriozitet kjo gjendje ku ia falim hilexhiut gjithçka. I cili në fund del dhe i pangopur me gjithë privilegjet apo dhe pasurinë që ka krijuar.
Duhet reagim dhe këtë duhet të bëjë secili profesionist me pak dinjitet në fushën e vetë. Gazetarët janë në fokus për joprofesionalizmin për shembull, dhe po del si problem në cenimin e profesionit, fenomeni “portal”. Po fillohen të regjistrohen dhe do të dihen se kush janë profesionistet dhe kush janë ato portale që krijohen veç për qëllime interesash. Mbase s’do i dilet deri në fund, por përpjekja po bëhet.
Po profesorët, do të regjistrojnë veten se kush ka dhe nuk ka tituj fals? Po administratorët, a do të tregojnë ata se kush janë punëtorët e kush rrinë kot në zyra? Po të tjerët… gjykatësit, mjekët, e gjithë ata që me punën e tyre prekin sferën publike do të ngrihen të kritikojnë paaftësinë, nepotizmin, partitë, politikat… të gjithë ne i dimë ata në mesin tonë që na mashtrojnë. Apo si rrëmuja e mëngjesit do të kënaqemi me ca britma e bori, pak zhurmë e sharje, një dozë shfryrje dufi, dhe pastaj sërish të gjithë do kthehemi në strofkullat e secilit, pa pikë përgjegjësie për të përbashkëtën.
Për momentin kjo është pamja jonë, një rrëmujë me zhurmë, që i bërtasim atij shoferit që ndalon ku s’duhet në bulevard e që na vonon në rrugë, por duke mos parë fare veten për gjurmën dhe pasojën që lemë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)