Delvina KËRLUKU
Shkup, 2 prill – Maqedonia si shtet nuk ka patur kontrollë të imtësishëm se çka futet në tregun vendor nga importi paralel i barnave, ndërkohë që mediat kanë zbuluar raste shokante të qarkullimit të barnave të dyshimta, të cilat madje janë furnizuar edhe përmes tenderëve shtetërorë, shkruan gazeta KOHA. Kategori të caktuara të pacientëve kanë konsumuar barna për të cilët kanë konsideruar se janë të domosdoshëm, por që në fakt efekti i tyre ka qenë me pasoja të padëshirueshme për shëndetin e tyre. Krejt kjo doli në pah para dy vitesh pasi u zbuluan barna të dyshimta që ishin të parapara për trajtimin e kancerit të gjirit, përbërësit e të cilëve asnjëherë nuk u zbuluan. Problemi me barna të falsifikuara është i përmasave globale, kurse sa i përket Maqedonisë ky problem ka qenë i pranishëm më shumë se katër vjet.
Se tregtia me barna dhe preparate medicinalë kishte patur një parahistori jo të lavdishme, tregon edhe praktika e anashkalimit të furnizuesve të drejtpërdrejt, siç ishte rasti me prodhuesin Novartis, i cili ka një përfaqësues në Maqedoni, dhe futja në qarkullim të barnave përmes tenderit shtetëror, me çmime astronomike, duke shkuar madje deri në 3500 euro për terapi të caktuara.
Edhe hulumtimet e mëhershme tregojnë se ka keqpërdorime të rënda nga institucionet, kurse qytetarët dalin më të dëmtuarit, sepse ata janë përdoruesit e fundit, jeta e të cilëve shpesh edhe vihet në rrezik. Këto barna të dyshimta zakonisht gjenden në farmacitë e vendit, të cilat furnizohen me çmime të lira nga shitësit me shumicë dhe të njëjtat i shesin me çmim më të lartë. Qeveria e mëparshme e Gruevskit arsyetohej se importi paralel i barnave lejon ulje të çmimit të ilaçit dhe bëhej fjalë për barnat të cilat importoheshin nga Turqia, Brazili e gjetiu. Dyshohet se 40 për qind e barnave paralele të importuara – janë të falsifikuar, kurse 99 për qind prej tyre importohen vetëm nga Turqia dhe nuk janë të sigurta. Gjithashtu, edhe insulina e dyshuar, që përdorin diabetikët, është zbuluar se importohet nga Brazili.
Krejt ky kaos u krijua pasi qeveria e mëparshme inicioi ndryshimin e ligjit për barna (me përfshirjen e vendeve të treta) që lejonin futjen e barnave përmes importit paralel, të cilat ishin të dyshimta, pa adresë të vendit të origjinës dhe pa specifikacion valid mbi përbërësit e barnave.
Sipas këtyre hulumtimeve rezulton që tregu farmaceutik në Maqedoni nuk ka qenë imun ndaj barnave të falsifikuara, kurse shumë raste edhe janë paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike, por asnjëherë deri më tani nuk ka patur një epilog gjyqësor që do të penalizonte këto keqpërdorime.
Por ajo që brengos është fakti se kjo praktikë e importit paralel të barnave të dyshimta vazhdon edhe sot kur kemi një qeveri të re, ndonëse priten ndryshime në Ligjin për barna, i cili duhet të rregulloj këtë sferë, duke parandaluar futjen e produkteve jocilësore medicinal. Madje, edhe Avokati i Popullit i ka rekomanduar Qeverisë të bëjë ndryshime në Ligjin për barna dhe preparate medicinal, me të cilin do të konsolidoheshin praktikat që garantojnë siguri dhe cilësi të barnave që vijnë nga importi paralel. (koha.mk)