Raporti i fundit i Bankës Botërore parashikon rritje të shkallës së varfërisë nga rreth 17 për qind në 2019 në rreth 20-23 për qind në vitin 2020, ndërsa 55.000 deri në 130.000 qytetarë të Maqedonisë në varësi të faktit nëse kriza zgjat tre apo gjashtë muaj, do të bien në varfëri totale
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 qershor – Pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë së Koronavirusit do të jenë të mëdha në aspektin social dhe ekonomik. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i Bankës Botërore, sipas të cilit, në mungesë të masave të qeverive në përgjigje ndaj krizës, më shumë se 400.000 njerëz në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të zhyten në varfëri, ndërsa klasa e mesme do të tkurrej ndjeshëm. Analiza më tej shton se përveç ndikimeve në shëndet dhe përdorimin e shërbimeve, ka të ngjarë që kriza të ndikojë edhe në mirëqenien e familjeve kryesisht përmes uljes së numrit të vendeve të punës dhe të ardhurave nga punësimi në sektorët më të prekur, si dhe pakësimit të remitancave të dërguara nga jashtë.
Sa i përket ndikimeve vetëm në Maqedoninë e Veriut, nga Banka Botërore vlerësojnë se efekti i kombinuar i pakësimit të të ardhurave nga puna dhe remitancave për shkak të ÇOVID-19 ka të ngjarë ta kthejë varfërinë në nivelet para 2017-s apo edhe para 2015-s, në varësi të kohëzgjatjes së krizës. “Simulimet parashikojnë rritje të shkallës së varfërisë nga rreth 17 për qind në 2019 në rreth 20-23 për qind në vitin 2020, ndërsa 55.000 deri në 130 .000 qytetarë të Maqedonisë në varësi të faktit nëse kriza zgjat tre apo gjashtë muaj do të bien në varfëri”, vlerëson më tej Banka Botërore. Në ndërkohë, ekspertët ekonomik vlerësojnë se shteti nevojitet ngadalë të përmirësojë gabimet e të kaluarës duke mbështetur më fuqishëm ringritjen e shtresës së mesme, përmirësimin e infrastrukturës në tërë vendin, dhe zhvillimin e barabartë rajonal.
ZGJERIMI I SHTRESËS SË MESME
“Maqedonia nevojitet që të shpërndajë administratën shtetërore në Tetovë, Gostivar, Ohër, Manastir, Kumanovë, Prilep, Veles, Shtip dhe Koçanë, çka do të shërbejë për uljen e mërgimit dhe do të rrisë shifrat e shtresës së mesme. Bëhet fjalë për 145 mijë persona që ndikojnë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për 20 për qind, dhe rritjen e mëtejshme të pagave. Me fjalë të tjera, Maqedonia nevojitet të zhvillohet si një mega-lopolis apo i tërë shteti të jetë një qytet i madh”, thotë eksperti ekonomik Marjan Bojaxhiev. Përskaj rritjes së pagave në këtë mënyrë, dhe rritjes së pagave prej 5 deri 10 për qind në mënyrë shtesë do të krijohet efekt multiplikativ që do të rrisë shtresën e mesme në shtet. Gjithashtu, rritja e popullatës në qendrat rajonale nënkupton edhe rritje të tregut dhe fuqisë blerëse, rritje të fuqisë punëtore dhe gjenerim të bizneseve të reja shton ai. Sipas tij, funksionimi sipas modelit të ri nënkupton zhvillimin e infrastrukturës që do të rrisë PBB, dhe do të zgjerojë shtresën e mesme. Aktualisht në vend jetojnë diku afër 1.6 milion banorë ku si shtresë e varfër dhe e ulët është afër 73 për qind e popullatës , ndërsa ne nevojitet që të rrisim shtresën e mesme nga 21 për qind në 45 për qind as është mesatarja e Evropës Qendrore shton Bojaxhiev. Në ndërkohë, parashikohet që rajoni i Ballkanit Perëndimor të hyjë në një recesion në vitin 2020, me të gjashtë vendet parashikojnë të pësojnë një rritje negative pasi ato vazhdojnë të përfshihen me ndikimet ekonomike të pandemisë COVID-19 . Rritja rajonale në Ballkanin Perëndimor parashikohet të jetë midis minus 3 dhe minus 5.6 për qind.
“Shkalla e recesionit varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Evropë. Ndërsa ndikimi ekonomik i pandemisë në vazhdim në rajon është e vështirë të parashikohet, por ka pak dyshim se kjo pandemi është duke shkatërruar jetën në të gjithë rajonin , taksimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, paralizimin e veprimtarisë ekonomike dhe dëmtimin e mirëqenies së njerëzve”, thotë Linda Van Gelder, drejtore e Bankës Botërore për Vendet e Ballkanit Perëndimor. Analiza më tej e Bankës Botërore udhëzon se konsumatorët shmangin aktivitetet që mund t’i ekspozojnë ato ndaj infeksionit. Sezoni turistik veror pritet të jetë i dobët. Investimet dhe konsumi jo jetik janë shtyrë deri në zgjidhje të pasigurisë lidhur me krizën. Probleme të ngjashme në partnerët kryesorë tregtarë, siç është BE-ja, do të rëndojnë mbi eksportet.
Kufizimet e vendosura nga qeveritë i detyrojnë bizneset dhe kompanitë me aktivitet jo jetik, të cilat nuk mund të plotësojnë kushtet për distancim social, të qëndrojnë mbyllur ose të zvogëlojnë veprimtarinë me qëllim parandalimin e shpërthimit të pandemisë. Ndonëse disa biznese mund të vijojnë aktivitetin përmes shitjes ose punës online, shumica e tyre do të përjetojë rënie të produktivitetit. Një pjesë e punonjësve duhet të qëndrojnë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave ose sepse duhet të zbatojnë distancimin soçial për të shmangur infektimin. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit vendas dhe ndërkombëtar dëmtojnë aktivitetin prodhues. Rënia e çmimeve të mallrave ndikon në zvogëlim të marzhave të fitimit në industritë nxjerrëse. Kufizimet e likuiditetit mund të shkaktojnë ndërprerje të mëtejshme në prodhim.
Nga organizatat joqeveritare që merren me varfërinë thonë se kjo krizë vetëm e konfirmon faktin se vendi sërish do të ketë probleme dhe sfida lidhur me rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e krizës. “Në vitet e kaluara ndonëse me shkallë të ulëta megjithatë kishim njëfarë ulje të varfërisë në shtet, mirëpo tani sërish po kthehemi nga e para me grupe të reja në nevojë për ndihmë që janë pjesë e ekonomisë në të zezë , që kanë humbur punën, me punë të pasigurta , që nuk kanë të drejtë në ndihmat dhe masat e ndryshme mbrojtëse të shtetit”, thonë nga Platforma e Maqedonisë kundër Varfërisë.
PANDEMIA, TEST PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Nga Banka Botërore thonë se përhapja e krizës së COVID-19 do të shërbejë si një test për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ngrirja e ekonomisë do të rrisë presionin mbi buxhetet e qeverive dhe bilancet e sektorit privat. Familjet do të humbasin vendet e punës, ndërsa disa biznese dikur fitimprurëse do të mbyllen. Për më tepër, do të duhet një menaxhim i kujdesshëm i likuiditetit në të gjithë sektorët ekonomikë, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të krizës. Në këto kohëra të vështira, politikat publike duhet të bëjnë gjithçka për lehtësimin e gjendjes së rëndë ekonomike, përmes planifikimit të masave për t’u ardhur menjëherë në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë. Sa më shumë të zgjasë ngrirja ekonomike, aq më të rënda do të jenë pasojat në ekonomi nga kjo krizë e shëndetit publik si rezultat i përdorimit të amortizatorëve të kapitalit dhe likuiditetit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Këto kohë do të shërbejnë si test për qëndrueshmërinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor – dhe vendosmërinë e qytetarëve të tyre për të përballuar dhe fituar luftën kundër COVID-19.
Analizat e Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut tregojnë se vetëm 4 për qind e punëtorëve në sektorët më të prekur ishin të varfër para pandemisë, por kjo shifër pritet të arrijë në rreth 8 për qind sipas skenarit të parë dhe 15 për qind sipas skenarit të dytë . Gjithashtu mbi 75 për qind e atyre që mund të bien në varfëri nuk janë aktualisht të përfshirë në asnjë program të mbrojtjes sociale. Banka Botërore rekomandon për shtetet e rajonit që përgjigjet e politikave duhet të mbrojnë mjetet e jetesës dhe të lehtësojnë rimëkëmbjen, si për të punësuarit në sektorin formal dhe në atë informal. Minimizimi i daljeve të firmës dhe shkatërrimit të vendeve të punës është një hap i parë dhe mund të ketë efekte të rëndësishme pozitive të transmetimit të tyre në sektorin informal përmes kanaleve të ofertës dhe kërkesës. Këto masa janë gjithashtu të nevojshme për të siguruar ruajtjen e një niveli minimal të aktivitetit ekonomik ose që të mund të rifillojë relativisht shpejt pasi të jenë hequr kufizimet e lëvizshmërisë. Më e rëndësishmja, përgjigjet e politikave në mbështetje të të ardhurave duhet të shtrihen për punëtorët që nuk mund të mbulohen nga programe të mbështetjes së biznesit sepse ata janë të vetëpunësuar ose punojnë në sektorin informal. Shembuj të masave të tilla përfshijnë zgjerimin e programeve të mbrojtjes sociale, programet e punës publike dhe rregullimin e sigurimit të papunësisë. (koha.mk)