Nga drejtoria Rrugët e Maqedonisë shprehen të vetëdijshëm për problemin dhe njoftojnë se për shkak të vjedhjeve apo dëmtimit të rrethojës, kanë ngritur një sërë padish ndaj personave të panjohur. Në Pollog, viteve të fundit numri i aksidenteve të shkaktuara nga kafshët në autostradë lëviz diku nga 100 deri në 120
Urim HASIPI
Tetovë, 7 maj – Siguria në autostradën Tetovë-Gostivar është në nivelin më të ulët. Kjo autostradë viteve të fundit pothuajse është lënë pas dore nga autoritetet përgjegjëse, duke bërë kështu që krahas pasigurisë – të ketë edhe shumë aksidente trafiku, shkruan gazeta KOHA.
Ministri i Transportit, Goran Sugarevski thotë se janë në bisedime me ndërmarrjen Rrugët e Maqedonisë . “Absolutisht atë që ne, sipas asaj që e kemi në programin e ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, ku tani po flasim për pjesën e rikonstruimit dhe rehabilitimit të rrugëve dhe për atë që do të thotë shtesë pasi kishte një iniciativë për një korsi të veçantë atje, rreth kësaj kam biseduar gjatë javës së kaluar edhe me drejtorin dhe ne do ti ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që nevojiten për të përmirësuar infrastrukturën rrugore edhe në atë pjesë të rrugës”, deklaroi Sugarevski. Nga ana tjetër, profesori universitar Vullnet Palloshi shprehet se është obligative që shteti apo ndërmarrja përgjegjëse të mirëmbajë rrugët dhe autostradat, sepse nëse nuk mirëmbahen, ata edhe dëmtohen. Kjo, sipas tij, është më kryesorja, sepse nëse mirëmbahen autostradat, ato më pak dëmtohen dhe më pak kushton pastaj rikostruimi.
“Ata kanë obligim që çdo pesë vjet të bëjnë rikostruimin, rinovimin dhe rregullimin e të njëjtës. Por më shumë se 15 vite nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, prandaj edhe është në atë gjendje kjo autostradë dhe ka shumë dëmtime. Obligim e ka ndërmarrja që të mirëmbajë gardhin përgjatë autostradës që të pengojë hyrjen e kafshëve. Obligim ligjor është mirëmbajtja e sinjalizimit vertikal dhe horizontal, si dhe mirëmbajtja e gardhit apo korsisë në mes të autostradës”, thotë Palloshi. Sipas tij, mirëmbajtja duhet të bëhet edhe në pjesën e asfaltit.
“Po ashtu duhet të mirëmbahet edhe asfalti, sepse ka plasaritje, gropa dhe deformime të tjera që në masë të madhe e vënë në rrezik jetën e vozitësve. Po ashtu pjesë e mirëmbajtjes janë edhe mburojat prej metali përgjatë autostradës që janë të dëmtuara, si dhe shtyllat ndriçuese që përkufizojnë fundin e rrugës e të cilët nuk janë funksionale”, thotë Palloshi. Nga Policia e Tetovës thonë se për shkak se kohëve të fundit janë shtuar aksidentet me kafshë në këtë autostradë, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon deri tek vozitësit të jenë të kujdesshëm, në veçanti gjatë orëve të natës. Policia po ashtu apelon deri tek përgjegjësit që kujdesen për autostradën të ndërmarrin masa adekuate dhe të rregullojnë këtë problem me çka do të ndalohet qasja e kafshëve në autostradë.
Nga drejtoria “Rrugët e Maqedonisë” shprehen të vetëdijshëm për problemin dhe njoftojnë se për shkak të vjedhjeve apo dëmtimit të rrethojës, kanë ngritur një sërë padish ndaj personave të panjohur. Në Pollog, viteve të fundit numri i aksidenteve të shkaktuara nga kafshët, lëviz diku nga 100 deri në 120. Rastet më të shpeshta janë vjedhjet e telave dhe shitja e tyre, por nuk janë të pakta edhe rastet kur bujqit për të arritur më lehtë deri tek arat e tyre, dëmtojnë telat mbrojtjes të autostradës dhe kjo ndodh në tërë autostradën prej Shkupi-Tetovë-Gostivar. (koha.mk)