Ustallëku dhe përpjekja e mbijetesës në shoqërinë tonë është që çdo familje të mos jetë në anën e atyre që japin ryshfet. Të gjithë duan të jenë, si ata, që marrin ryshfet. Me mund e shkathtësi, ia dolëm si shoqëri; nuk mund të thuhet se, ‘ja nuk patëm sukses’, patëm edhe atë si; tashmë është krijuar model i qytetarit-ryshfetçi “Made In Macedonia”
Nga Shaqir ISLAMI
Shyqyr Zotit, e kemi Qeverinë e radhës! Nejse – e vjetër por – me paketim të ri dhe premtime të vjetra. Mbase, premtimet janë po të njëjtat si dhe në zgjedhjet e mëparshme: integrimi në BE (kënga e vjetër, aranzhim iri), … dhe blla, blla, blla, …dhe llokum i premtimeve: lufta e ashpër kundër ryshfetit.
Gjuha politike nuk ka koc! Premtimet boshe joshin zgjedhësit dhe mbushin kutitë me vota; pa premtime të mëdha- qofshin të kota dhe absurde- nuk ka vota. Prandaj, askush nuk ia varr veshin marres. Kush ka marre i humb votat! Kush humb votat, humb zgjedhjet. Kush humb zgjedhjet e humb pushtetin. E vallahi, kush humb pushtetin, humb çdo gjë. Në politikën evendit tonë, politikan i mirë është ai që fiton, dhe jo ai që humb zgjedhjet. Nga të gjitha premtimet politike, më qesharaku dhe mëi pabesueshmi është premtimi gjoja se “fallan-filan partia do ta luftojë ashpër ryshfetmarrjen”! Çdo parti e përdorë – ashiqare – këtë premtim-rrenë. Qytetarët – si ata me të drejtë vote, si ata me pa të drejtë vote – gjatë fushatës së zgjedhjeve, më së shumti argëtohen dhe ‘tallin-b…’ me këtë premtim. Tema e ryshfetit është një shfaqe për t’u gajas.
Mbase- për sa i përket ryshfetmarrjes dhe ryshfetdhënies- të gjithë e dimë se ryshfetin në këtë Shtet nuk e shfaros as vet Supermeni; le ta zëmë, sikur ta kishte qeverisur këtë vend! Jo, jo – nuk do kishte dështuar dhe turpëruar vetëm ai; mendoj se, edhe të gjithë heronjtë e Hollyëood’it, në krye me Çak Norisin ose Brus Li-në ishin bërë gaz i botës në vendin tonë të patëllxhanave. Ryshfeti nuk është një shaka për vendin tonë, siç mendon kjo Europa naive. Meqë,politikanët tanë shtetin e shkelin, ryshfetin nuk e japin! Ne me çdo gjë bëjmë shaka, ama me ryshfetin jo. Europa mund të na prek, ku të dojë … ne durojmë!!! Ama ryshfetin jo. Ryshfeti është morali jonë, vlera, besimi, tradita, … veç kemi ndryshuar të bërit be, dikur esnafi thoshte “pasha këtë bukë”; sot gjithë e më shumë thuhet: ‘pasha këtë ryshfet’. Sepse, ryshfeti është bukë pa djersë. Dhe pa mare!
Allo, Europë na i fut gishtat ku të duash, ama n’ryshfet jo. Sepse, ka lëshuar rrënjë të thella në çdo pore të shoqërisë sonë; në zemrat, shpirtin dhe mendësinë tonë dhe ka metastazuar në cep-më-cep të vendit, si në qytet, ashtu në katund. Aq është përhap sa që është shndërruar në zanat, industri, kulturë, sport, dëfrim, hajgarellëk, terbie, edukatë, mirësjellje…Ryshfeti është ekonomia jonë. Vetëm në ryshfetmarrje nuk kemi dallime etnike, fetare, gjinore, … Ryshfeti na bashkon. Ryshfeti e mban fijen e pashkëputur të kohezionit shoqëror!
Vetëm në fushën e ryshfetit, në shtetin tonë sundon drejtësia dhe barazia mes qytetarëve. Por – megjithatë – ka një dallim të hollë në këtë mesele; varet nëse jep ose merr ryshfet. Ata që japin ryshfet janë humbësit; ndërsa, ata që e marrin janë fituesit. Ryshfeti është diçka, si magjia e kumarit. Krijon vartësi. Gjithmonë, dikush humb e dikush fiton. Natyrisht se, edhe vetë jeta i ka këto rregulla, dhe në filma sundojnë rregulla të njëjta, pasi edhe në çdo skenar filmi shkruhet rrëfimi klasik se, gjithmonë në jetë dikush humb, e dikush fiton. Askush nuk mund të fitojë, nëse dikush nuk humb! Kështu zhvillohet ekonomia dhe gjallëron qytetari në vendin tonë. Këtu pa pasur ryshfet nuk qarkullon paraja dhe nuk ka vlerë denari. Ryshfeti zakonisht ‘punon’ me euro! Nuk kam dëgjuar – ndonjë mesele nga kjo industri – që dikush të kërkojë ryshfet në valutën zyrtare të shtetit tonë, në denarë!
Rrallë ndodh – helbete, ‘insan halli’ – ndonjë rryshfetdhënie me denarë, dhe atë e bën vetëm ndonjë ryshfet-marrës batakçi, i pandershëm, i pasjellshëm, … ndonjë ryshfet-marrës pa stil dhe ‘manire’, pra ndonjë ‘paljaço ryshfetçi’. Dorën në zemër, këta janë ryshfetçi axhami, ose henës e kanë nisur ta mësojnë zanatin e ryshfetmarrjes/ryshfetdhënies. E këta amatorë, zakonisht i dënon drejtësia dhe i lufton pushteti; dhe ua bën mirë, pasi, këta e rrënojnë sistemin e ndërtuar me vite e vite me shumë mund dhe djersë. Le ta themi troç, e pse jo – njëherë e përgjithmonë – ryshfeti kryhet me euro, dollarë ose franga. Kurrsesi, me denarë!
Pra, ustallëku dhe përpjekja e mbijetesës në shoqërinë tonë është që çdo familje të mos jetë në anën e atyre që japin ryshfet. Të gjithë duan të jenë, si ata, që marrin ryshfet. Me mund e shkathtësi, ia dolëm si shoqëri; nuk mund të thuhet se, ‘ja nuk patëm sukses’, patëm edhe atë si; tashmë është krijuar model i qytetarit-ryshfetçi “Made In Macedonia”. Edhe martesat kryhen në bazë të ryshfetit. Të gjithë mundohen të ‘forcojnë’ nuse, ose ta kenë dhëndrin nga ndonjë fis që merr ryshfet, e jo nga ata që japin ryshfet. Pozita merr, ndërsa opozita jep.
Për në fund, le ta lëmë temën e ryshfetmarrjes le të veprojë në rehatinë e vet. Fitorja e madhe e këtyre zgjedhjeve, është se humbi Mickovski. Dhe shyqyr që humbi – ky Bedel i regjimit që e përsosi ryshfetmarrjen në art – se do na e kthente Gruevskin si Spajdermen-in që të zvarritej ende nëpër fasadat Barok. Dhe do na i mbushte sheshet me përmendore për ryshfetmarrjen.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)