Tetovë, 15 nëntor – Një trup i djegur i një mashkulli është gjetur në mbetjet e një barake të improvizuar që është përfshirë nga zjarri mbrëmë në afërsi të Qendrës sportive në Tetovë, kanë informuar sot nga SPB e Tetovës, raporton KOHA.
Zjarri në Njësitin e zjarrfikësve në Tetovë është paraqitur mbrëmë rreth orës 3, ndërsa më vonë edhe policia ka marrë thirrje për ngjarjen.
“Është lajmëruar për zjarr në barakën e improvizuar në rrugën ‘Lubo Bozhinovski- Pish’ te salla sportive. Baraka është djegur tërësisht, ndërsa është gjetur një trup i pajetë i një mashkulli. Mbikëqyrje në vendin e ngjarjes kanë bërë përfaqësues të Prokurorisë publike, SPB-Tetovë dhe Mjekësisë Ligjore. Pas urdhrit të prokurorit trupi është dhënë në obduksion dhe identifikim në Institutin për Mjekësi Ligjore në Shkup”, ka deklaruar Marjan Josifovski, zëdhënës i SPB- Tetovë.
Hetimi vazhdon me masa të cilat do të zbulojnë shkaqet e rrethanave për shkaktimin e zjarrit, informojnë nga policia e Tetovës. (koha.mk)