Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev ka thënë se ka njohuri për këtë problem, respektivisht për digat mbrojtëse në lumin e fshatit Poroj. Ai më tej ka thënë se një pjesë e mjeteve janë siguruar, por pret që të sigurohen të gjitha mjetet
Urim HASIPI
Tetovë, 25 mars – Vazhdojnë në pafundësi premtimet për banorët e fshatit Xhermë dhe Poroj se problemi me ndërtimin e digave do të zgjidhet. Nëse në vizitën e vitit 2017 ishte kryeministri Zoran Zaev që premtoi zgjidhje të këtij problemi, kësaj radhe ka qenë zëvendësi i tij, Koço Angjushev që ka dhënë sërish premtime, duke sqaruar se për problemin në fjalë tashmë është diskutuar me kryetarët e komunave të Pollogut në Ministrinë e Tranpsortit.
“Në ne qeveri punojmë në maksimum që ky rajon të mbrohet nga vërshimet. Në këtë drejtim, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve mbajtëm një mbledhje me kryetarët e komunave të Pollogut, ku isha i pranishëm edhe unë, por edhe institucione tjera që kanë të bëjnë me atë problem. U pajtuam për të bërë analiza dhe se çfarë projektesh kemi, pra bëhet fjalë për programe nga donatorë të huaj. Të gjithë këtë, ne e kemi parasysh dhe do ta parashikojmë në buxhet, nëse kemi rishikim të buxhetit, do të parashohim mjete për këtë vit, por nëse nuk ka rishikim, atëherë në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë mjete, që të ndihmojmë maksimalisht komunat që të marrin mjete për të filluar me sanimet”, deklaroi Angjushev.
Ai më tej ka thënë se një pjesë e mjeteve janë siguruar por pret që të sigurohen të gjitha mjetet. Angjushev ka thënë se ka njohuri për këtë problem, respektivisht për digat mbrojtëse në lumin e fshatit Poroj. “Për një pjesë janë siguruar paratë, por ta shohim sa është vlera e përgjithshme e mjeteve, që të mund ajo të zgjidhet. Konkretisht për problemi në Poroj dhe Xhermë, të cilin e di personalisht, ekziston një studim nga më herët, ku janë dëmtuar digat dhe problemi është serioz. Mendoj se punët janë në rrugë të mirë dhe mendoj se do të sigurohen mjete dhe do të zgjidhet problemi” tha Angjushev.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në një prononcim të saj për mediat ishte shprehur se duhet që të realizohet plani i UNDP-së për vendosjen e pendave dhe të rregullohet shtrati i Lumit, që të mos ketë vërshime si ato të kaluarat, ku kishte shumë dëme por edhe sot e kësaj dite në këtë drejtim nuk ka asnjë lëvizje pozitive.
Banorët e fshatit Poroj kohë më parë edhe përmes protestave kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të merren më seriozisht me rregullimin e digave përgjatë lumit, por deri më tash nuk ka asnjë lëvizje pozitive. Sipas banorëve, në të kaluarën institucionet janë marrë vetëm me eliminimin e pasojave, gjegjësisht pastrimin e mbetjeve përgjatë lumit dhe hapjen e rrugës, por jo edhe me rregullimin e shtratit. Kërkesa e tyre është që institucionet të mbajnë premtimin dhe të koncentrohen me rregullimin e digave tek vendi i quajtur “Uji i Shpejtë”, në burimin e lumit në fshatin Gjermë. (koha.mk)