Athinë, 17 janar – Në votimin e djeshëm të besimit në Parlamentin grek, Aleksis Cipras me 151 vota “për” e mori mbështetjen për qeverinë e tij. Prej deputetëve, 148 votuan “kundër”, ndërsa një mungonte.
Me këtë, pas marrjes së besimit nga Parlamenti, vëmendja e Qeverisë greke tani përqendrohet drejtë Marrëveshjes së Prespës dhe deputetët të cilët do të votonin për ratifikimin e saj.
Pas përfundimit të votimit, kryeministri grek në deklaratë për mediet tha se qeveria me marrjen e besimit do ta përfundojë mandatin katërvjeçar me kriterin e vetëm interesat dhe nevojat e popullatës greke, njofton Mia, transmeton Koha.
“Parlamenti dha votëbesimin për stabilitet, dha votëbesim për përpjekjet për kthim të imazhit ndërkombëtar të vendit. Qeverisë e cila do ta ndryshojë Greqinë dhe e cila do të vazhdojë deri në përfundimin e mandatit të saj kushtetues me kriterin e vetëm nevojat dhe interesat e popullit grek, nevojat dhe interesat e Greqisë”, tha Cipras.
Votimi kaloi ashtu siç pritej dhe paralajmërohej. Për besim të qeverisë, përveç 145 deputetët e SYRIZA-s, votuan katër deputetë të pavarur dhe dy nga Grekët e Pavarur, gjegjësisht qeverinë e mbështetën:ministrja e Turizmit, Elena Kundura, zëvendësministri i Bujqësisë, Vasilis Kokalis, të cilët para ca kohësh ishin pjesë e Grekëve të Pavarur, zëvendësministrja e Mbrojtjes Civile, Katerina Papakosta, e cila është deputete e pavarur, deputetët e Grekëve të Pavarur, Kostas Zuaris dhe Tanasis Papahristopulos dhe tani më deputeti i pavarur, ndërsa deri pardje një anëtar i Potamit, Spiros Danelis.
Të gjithë deputetët e partive opozitare, Demokracia e Re, Lëvizja për Ndryshim, Agimi i Artë, Potami, Lidhja e Centristëve, Partia Komuniste e Greqisë, votuan kundër.
Prej Grekëve të Pavarur, me përjashtim të Zuaris dhe Papahristopulos, anëtarët e tjerë të grupit të deputetëve ishin kundër besimit të qeverisë.
Pak para votimit, fjalën e kishte kryeministri grek Aleksis Cipras i cili mes tjerash foli për Marrëveshjen e Prespës. I njoftoi deputetët se Greqia kishte marrë Notë verbale nga MPJ e Maqedonisë në të cilën kumtohet se janë përmbushur detyrimet në bazë të marrëveshjes, por edhe iu drejtua liderit të Demokracisë së Re dhe i bëri thirrje për dialog për Marrëveshjen e Prespës ose në Parlament ose në ndonjë televizion.
Kryetari i partisë më së madhe opozitare Demokracia e Re në fjalimin e tij porositi se “ai që voton ‘për’, i hap rrugën identitetit të pretenduar maqedonas dhe gjuhës për fqinjët,siç parasheh Marrëveshja e Prespës” dhe i rekomandoi Ciprasit “të harrojë procedurat ekspres dhe metodologjinë e fshehtë për të kaluar Marrëveshjen e dëmshme të Prespës”.
Në debatin dyditor në parlament për ripërtëritjen e besimit të qeverisë, fjalim patën liderët e partive politike dhe kryeministri grek, si në fillim të seancës ashtu edhe në fund. Diskutimi i nxehtë zhvillohej edhe në raport të ekonomisë, por edhe në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.
Ministrat e Qeverisë, si edhe deputetët e SYRIZA-s, secili me argumentet e tij fuqishëm e mbështet vendimin mes Maqedonisë dhe Greqisë, folën se për çka shërben Marrëveshja e Prespës, por edhe pse qeveria do të marrë besim dhe do ta përfundojë mandatin katërvjeçar.
Përkundër tyre, liderët e partive opozitare, si edhe liderët dhe deputetët e tyre, shpjeguan se pse nuk e mbështesin qeverinë, por edhe Marrëveshjen e Prespës, dhe shumica e tyre, thanë se në këtë moment zgjidhja e vetme dhe më e mirë për vendin është shpallja e zgjedhjeve parlamentare.