Ai shprehet se nuk mund të arrijë të përllogarisë dëmin e shkaktuar sepse mungojnë gjësende, por më vështirë e ka se pse e ka gjetur në këtë mënyrë shtëpinë e tij. Hajnat kishin lënë edhe një mesazh që i ka tmerruar tërë familjen
Urim HASIPI
Tetovë, 13 mars – Kishin ardhur në vendlindje për pushim, por kishin gjetur dhoma të bastisura nga hajnat. Sirtarë të hapur të mobileve, tesha të hedhura gjithandej. Kështu e kishte gjetur shtëpinë e tij Hajrizi nga fshati Orashë. Të parët që kishin ardhur nga mërgimi, kishin qenë vajza dhe bashkëshortja e Hajriz Bexhetit nga fshati Orashë të Komunës së Jegunocit. Ngjarja ka ndodhur në orën 3 të mëngjesit të ditës së enjte të javës së shkuar, shkruan gazeta KOHA. Hajnat me gjasë kanë qenë në shtëpi në atë moment, kurse kur kanë vërejtur se kthehen familjarët, ata janë larguar.
Kur bashkëshortja e tij e ka gjetur shtëpinë në këtë gjendje, është larguar së bashku me vajzën. Madje ajo kishte gjetur edhe të shkruar një mesazh në pasqyrën e banjës se do ti vrasin. Kjo e kishte frikësuar pa masë bashkëshorten e tij, dhe sot e kësaj dite ajo nuk flenë në shtëpinë që e kanë ndërtuar në këtë fshat me mjete të fituara me djersë në mërgim. Që 49 vite ai jeton në mërgim, dhe tash me lot në sy thotë se e ka të vështirë të jetojë sepse kjo nuk është hera e parë që i ndodh një gjë e këtillë.
“Prej vitit 1970 jam në mërgim. Kjo është hera e pestë që hajnat hyjnë në këtë shtëpi. Unë mendoj se krejt atë fitim që e kam bërë në mërgim, e kam harxhuar në vendlindje. Jam i mërzitur për vendlindjen, si një njeri që është i mërzitur se e ka lëshuar vendin ku ka lindur, dhe nuk është shumë lehtë. Unë sot jam në pension dhe kam ardhur të çmallem në vendlindje, në shtëpinë time, në mallin tim, në djersën time dhe duhet natën me ruajtur e ditën me fjetur. Shoqja ime, prej atë ditë që ka ndodhur, është duke fjetur tek axhallarët. Pas 69 vitesh duhet me u ndarë nga gruaja, mos me qenë bashkë. Lus policinë që të marrin masa se kjo nuk është hera e parë, por hera e pestë”, thotë për KOHA, Hajrizi.
Ai shprehet se nuk mund të arrijë të përllogarisë dëmin e shkaktuar sepse mungojnë gjësende, por më vështirë e ka se pse e ka gjetur në këtë mënyrë shtëpinë e tij. Hajnat kishin lënë edhe një mesazh që i ka tmerruar tërë familjen.“Unë nuk mund në shtëpinë time të hyj dhe të shoh gjithë ato tesha të përmbysura në atë gjendje. Kishte të shkruar një mesazh se do të vras. Shoqja ime ka ardhur kah ora 3 e mëngjesit, me gjithë vajzën. Kur kanë ardhur tek shtëpia, dera ka qenë e hapur, televizori dhe aparati i kafes kanë qenë te dera. Gruaja kur i ka parë në atë gjendje teshat, ka ikur dhe e ka lajmëruar policinë. Policia ka ardhur më vonë. Rasti është lajmëruar kah ora 7 dhe ata kur kanë ardhur, kanë bërë hetime. Mendoj se kanë qenë në shtëpi në atë moment”, shprehet ai.
Ky banorë i Orashës ka edhe një mesazh për policinë, që të gjejë hajnat dhe ata që ia kanë vështirësuar jetën në shtëpinë e tij, dhe thotë se në burg duhet të jenë hajnat e dhe jo ai.“Lus policinë që të marrin masa, se kjo nuk është një herë, është pesë herë, sepse kur pesë herë hyn hajduti nuk gjendet, kjo është e pamundshme dhe ata më detyrojnë që unë të shkoj në burg në vend të hajdutit. Kjo nuk është e drejtë. Policia për këtë paguhet”, përfundon rrëfimin ai. Hajrizi dyshon se kush qëndron prapa kësaj vjedhje dhe shpreson që edhe policia të merr masa konkrete për zbardhjen e rastit. Po ashtu, hajnat nuk kishin kursyer edhe shtëpinë e vjetër, ku kishin përmbysur të gjitha pajisjet për amvisëri që Hajrizi i kishte sjellë nga Gjermania, ku punon tashmë 49 vite. Policia e ka konfirmuar rastin në fjalë dhe thotë se punon në zbardhjen e plotë të rastit.
“Më datë 07.03.2019 në ora 07 e 30 minuta, në Sektorin për punë të brendshme Tetovë, 62 vjeçarja E.B. ka denoncuar se në shtëpinë e saj në fshatin Orashë e Epërme, Komuna e Jegunovcës, person apo persona të panjohur kanë kryer vjedhje të rëndë në tentativë. Sipas denoncimit, me forcë kanë hapur derën hyrëse, kanë hyrë brenda në shtëpi, ku kanë hulumtuar në të gjitha hapësirat e shtëpisë, por nuk kanë vjedhur asgjë, kështu që janë larguar në drejtim të panjohur. Gjithashtu, kryerësit e veprës, në pasqyrën e banjos kanë shkruar mesazh kërcënues. Janë kryer hetimet në vendin e ngjarjes dhe punohet në zbardhjen e plotë të rastit, si dhe zbulimin e kryerësve”, njoftoi Fatmir Rexhepi zëdhënës i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë. (koha.mk)